Ditët e fundit te tifozët e Barcelonës u shfaq shqetësimi në lidhje me qëndrimin e Lionel Messit te klubi katalanas.
Zërat e fundit të merkatos flisnin për një largim të mundshëm të argjentinasit në drejtim të Premier Ligës në vitin 2017, më shumë për shkak të presionit për procesin gjyqësor për evazion fiskal në Spanjë.
Por presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu vendosi të qetësojë të gjithë duke deklaruar se 28-vjeçari do të mbyllë karrierën e tij në Kamp Nou.
“Unë e besoj Messin dhe babain e tij kur deklarojnë se duan të qëndrojnë te Barcelona. Ai dëshiron të mbyllë karrierën te ne. Raportet që kemi me përfaqësuesit e tij janë shumë të mira. Nuk po e diskutojmë çështjen e rinovimit sepse Messi ka edhe 3 vjet në kontratën e tij. Ai meriton të respektohet, po flitet shumë për të dhe për çfarë po i ndodh”, tha Bartomeu.
Bartomeu foli edhe për zhurmën e madhe që u bë ditët e fundit në lidhje me akuzat e hedhura nga një arbitër për presion ndaj tij për favorizim të Realit në El Clasico-n e 21 nëntorit me Barcelonën.
“Kërkoj vetëm që të bëhen hetime për këtë cështje-shtoi bartomeu-arbitrat mund të gabojnë, por nëse kjo ndodh për shkak të presioneve që i vijnë nga jashtë, atëherë gjërat ndryshojnë. Gjithsesi unë kam besim te gjyqtarët e ndeshjeve”, shtoi numri një katalanas.
Top Channel