Refugjatët dhe “kaosi i turpshëm” në samitin e Brukselit

26/10/2015 11:00

Fillimi i samitit në Bruksel nuk qe shumë premtues. Liderët ishin pozicionuar e dukej që s’kishin ndërmend të lëviznin nga linja e vetë.

Vetëm pas presionesh të mëdha, fyerjesh, kërcënimesh e hedhjes së fajit njëri-tjetrit, me masat urgjente ranë dakord edhe krerët e qeverive të vendeve anëtare të bllokut që përbëjnë sot itinerarin e refugjatëve në Ballkanin perëndimor.

Për shtypin gjerman, heroi i natës ishte presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker. Ai arriti t’i jepte fund kaosit të turpshëm, siç e cilësojnë mediat atje.

Por, pas përshëndetjes së rezultateve të takimit, ekspertët tani shohin një tjetër sfidë aspak të vogël për bllokun. Masat urgjente të krizës, të ndërmarra me aq mund, tani duhet të vihen në jetë sa më parë, përndryshe Bashkimi Europian do të gjendet vërtet në rrezik.

Kjo, për shkakun e thjeshtë se në samitet e jashtëzakonshme të këtyre javëve të fundit janë marrë disa herë vendime të trumpetuara me forcë si hapa kyçe drejt zgjidhjes së ngërçit që po mundon Europën.

Problemi është që ato nuk kanë gjetur asnjëherë zbatim në praktikë. Plani i tanishëm i emergjencës është shansi i fundit për të vendosur nën kontroll situatën acaruese në itinerarin e Ballkanit, sepse po nuk u implementua brenda një kohe të shkurtër ky plan i Juncker, atëherë besueshmëria e anëtarëve të bllokut dhe Komisionit Europian do të marrë fund.

Nëse nga ana tjetër do të ngriheshin vërtet 100.000 strehime për akomodimin e shpejtë e të përkohshëm dhe regjistrimin e refugjatëve, ky do të ishte sukses i madh. Samiti i BE-së me shtetet ballkanike nuk e zgjidh për çdo rast krizën e refugjatëve.

Ai, shkruajnë mediat në Gjermani, nuk e ul dot fluksin e njerëzve, por shpreson vetëm ta bëjë odisenë e tyre më njerëzore, e në këtë mënyrë, së paku kalimi i njerëzve nga Greqia deri në Gjermani do të zhvillohet në mënyrë më të rregullt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA