Një anije për vëzhgimin e balenave është mbytur në afërsi të brigjeve të Kolumbias Britanike, në Kanadanë perëndimore, duke i marrë jetën të paktën pesë personave.
Anija me 27 persona në bord u mbyt në afërsi të Tofinos, në ishullin e Vankuverit. Kushtet e detit në momentin e ngjarjes raportohet të kenë qenë të mira. Zyrtarët e emergjencave thanë se 21 persona janë shpëtuar dhe një tjetër konsiderohet i zhdukur.
Anija Leviathan II, sipas Qendrës së Koordinimit të Operacioneve të Shpëtimit, kishte lëshuar një SOS pasditen e së dielës. Mediat kanadeze thonë se anija, 20 metra e gjatë, ishte në pronësinë e një kompanie që merrej me vëzhgimin e balenave dhe aventura të tjera detare.
Në faqen e saj të internetit shkruhej se turet për vëzhgimin e balenave do të mbylleshin më 31 tetor, ndërkohë që ajo e ka filluar këtë aktivitet 30 vjet më parë.
Tofino është një destinacion i shumëfrekuentuar për turistët që duan të vrojtojnë balenat gri të Paqësorit dhe udhëtimet zakonisht zgjasin deri në tre orë.
Top Channel