Ka kaluar një vit që kur Gjykata Themelore “Shkupi l” i dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarët e akuzuar për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi në vitin 2012 në afërsi të Shkupit, por nga ana e Gjykatës së Apelit ende nuk ka verifikim përfundimtar të këtij dënimi.
Ankesa e të dënuarve ende ndodhet pranë Gjykatës së Apelit, e cila vazhdon shtyrjen e sjelljes së vendimit, edhe pse seanca dëgjimore u mbajt më 11 shtator të këtij viti.
Bedri Hajdari, njëri nga familjarët e të dënuarve lidhur me rastin “Monstra”, pohon për mediat se jo vetëm Gjykata e Apelit nuk solli vendim ditën kur u mbajt seanca dëgjimore, por ajo nuk e ka caktuar as datën e saktë të sjelljes së vendimit.
“Na kanë thënë se deri në sjelljen e vendimit do të kalojë përafërsisht një muaj, por ja që kaloi një muaj e gjysmë dhe nuk kemi asnjë informatë apo të dhënë për atë që do të ndodhë”, thotë Hajdari.
Hajdari dyshon se Gjykata e Apelit, apo kushdoqoftë që qëndron pas këtij rasti të montuar, pret të shohë se si do të zhvillohen ngjarjet politike dhe më pas të sjellë vendimin.
Ndërkohë, familjarët e të dënuarve lidhur me rastin “Monstra” i janë drejtuar me letër edhe Prokurores Speciale, Katica Janevës, duke kërkuar nga ajo që me urgjencë ta shqyrtojë këtë rast gjyqësor.
Top Channel