Takimi në Vatikan, kisha hapet ndaj të divorcuarve

25/10/2015 19:50

Peshkopët katolikë ranë dakord për një hapje kundrejt të divorcuarve që janë rimartuar jashtë kishës, por refuzuan apelet për më shumë tolerancë dhe gjuhë më të zbutur ndaj homoseksualëve.

Ky ishte rezultati i një takimi të profilit të lartë që zgjati për plot tre javë, i njohur si Sinodë, i kryesuar nga Papa Françesku, që përbën në të vërtetë një fitore për konservatorët në çështjen e homoseksualëve dhe për progresivët në çështjen delikate të rimartesës.

Dokumenti përfundimtar i Sinodës, nënvizonte mësimet e kishës sipas të cilave homoseksualët nuk duhet të diskriminohen në shoqëri, por përsëriste edhe se nuk ka baza për martesat mes të njëjtit seks, që nuk munden as për së afërmi të krahasohen me bashkimet heteroseksuale.

Dokumenti me 94 pika tregonte se Asambleja kishte vendosur të evitonte gjuhën kontraversiale dhe kërkonte konsensus për të evituar ngecjen në vend në temat më të ndjeshme, duke ia lënë Papës të merret me detajet.

Sinoda është një organ këshillues që nuk ka fuqinë të ndryshojë doktrinën e kishës. Papa, që është arbitri i çdo ndryshimi dhe që ka apeluar për një kishë më gjithëpërfshirëse dhe tolerante, mund të përdorë materialin për të shkruar një dokument të tijin, të njohur si “Vendimi Papnor”.

Në fjalën e tij përfundimtare para Sinodës, Papa kritikoi ultrakonservatorët, duke thënë se liderët e kishës duhet të përballen me çështjet e vështira pa frikë dhe pa e fshehur kokën në rërë. Deklarata përfundimtare e Sinodës në anën tjetër, ofronte shpresë për riintegrimin e plotë në Kishë të disa katolikëve që divorcohen dhe rimartohen në ceremoni civile.

Nën doktrinën aktuale të kishës, ata nuk mund të marrin shërbimet e kishës vetëm në rast se abstenojnë nga marrëdhëniet seksuale me partneruin e ri, sepse martesa e parë është ende e vlefshme në sytë e kishës dhe ata konsiderohet sikur jetojnë në mëkat duke bërë tradhti. E vetmja mënyrë që këta katolikë të rimartohen, është ajo e marrjes së një anulimi, një vendim sipas të cilit martesa e tyre e parë nuk ka ekzistuar asnjëherë për shkak të mungesës së disa parakushteve si p.sh. maturia psikologjike ose vullneti i lirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA