Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe të një grupi shtetesh të Bashkimit Europian, do të mblidhen në një takim emergjent në Bruksel ditën e diel.
Numri më i madh i azilkërkuesve të refuzuar vijnë nga Ballkani Perëndimor. Parlamenti gjerman miratoi këtë muaj një ligj ku Shqipëria, Kosova , Serbia dhe Maqedonia përfshihen në listën e “vendeve të sigurta”, shtetasit e të cilëve nuk kualifikohen për azil.
Por ky takim do të mbahet edhe në kuadër të përshkallëzimit të krizës së refugjatëve, çka ka gjeneruar edhe tension në rajon. Mbyllja e kufijve të Sllovenisë dhe Hungarisë, kanë shkaktuar grumbullimin e grupeve të mëdha me refugjatë, të cilët nuk po marrin asnjë drejtim nga autoritetet kompetente se ç’do të ndodhë me ta.
Kryeministri slloven i bëri thirrje unionit për mbështetje financiare, materiale si edhe për shtim të personelit, i cili duhet të ndihmojë patjetër, sipas tij. Miro Cerar bëri thirrje për më tepër bashkëpunim, pasi sipas tij propocioni për ndarjen e refugjatëve nuk është i drejtë, ndërsa Gjermania po vijon me politikat e saj ambicioze për këtë kauzë, duke trumpetuar për kuota të detyrueshme dhe të përhershme për ndarjen e refugjatëve që vijnë direkt nga Lindja e Mesme. Po ashtu, në rendin e ditës së Berlinit është ngritja e mundshme e një takse të veçantë në të gjithë BE-në për të financuar politikat.
Kauza e refugjatëve e drejtuar nga Angela Merkel është cilësuar si një pikë vendimtare për performancën e saj politike. Kancelarja gjermane ka shprehur indinjatë me qeveritë e Europës Lindore dhe Qendrore të cilat vijojnë të kundërshtojnë fuqishëm marrjen e refugjatëve, ndaj Merkel përpara samitit të së dielës, ka bërë thirrje për më shumë “solidaritet”.
Top Channel