Vlerësimet, dyshime mbi agjencitë e trajnimit të mësuesve

23/10/2015 15:15

Në javët e para të nëntorit, 15 mijë mësues do të vlerësohen për njohuritë e tyre në 6 fusha.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se pas këtij testimi nuk rrezikohet vendi i punës së asnjë mësuesi, por do të vlerësohet performanca e tyre.

“Nuk rrezikohet mësuesi, në çdo fushë, në bazë të pikëve që ai merr do të orientohet trajnimi i tyre. Do të jenë module të mirëpërgatitura që do të zhvillohen siç ne do ta vendosim mbi bazën edhe të ekspertëve të huaj në këtë proces, pranë institucioneve tona publike, apo duke akredituar institucione private, por sigurisht duke i monitoruar fort dhe duke kthyer çdo investim të mësuesve apo të qeverisë shqiptare në cilësi në çdo orë mësimi në shkollat tona”, tha ministrja Nikolla.

Deri më tani mësuesit kanë marrë kredite nga 51 agjenci të ndryshme, një pjesë e të cilave nuk kanë bërë transparente programet e tyre.

“Ka patur raste kur mësuesit për të marrë disa kredite i është dashur thjeshtë të paguajë disa para tek këto agjenci pa marrë kurrfarë trajnimi. Ne do të zhbëjmë këtë treg informalitetit duke e kthyer të gjithë këtë proces mbi baza të vërteta shkencore”, shtoi ministrja Nikolla.

Në këtë testim do të përfshihen mësuesit të cilët kanë një përvojë deri në 20 vjet në mësuesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA