Refugjatët, përplasje në PPE, Merkel: Mund t’ia dalim mbanë

23/10/2015 12:15

Kongresi i partive konservatore europiane në Madrid ishte planifikuar si një festë familjare plot harmoni dhe si një ndihmë e vogël për fushatën zgjedhore për kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy, i cili kërkon të rizgjidhet më 20 dhjetor, por kriza e vazhdueshme e refugjatëve ka ndezur gjakrat duke sjellë përplasje mes krereve konservatorë.

Pas takimeve me dyer të mbyllura tensionet ishin të larta, madje në njërin prej tyre u raportua se shpërtheu një sherr i vërtetë, ndërsa në skenën politike në sallë situtata u paraqit më e qetë dhe në një linjë me sloganin “Së bashku”, që reflekton dëshirën për një politikë të përbashkët.

Kancelarja gjermane Angela Merkel përsëriti qëndrimin e saj se kufijtë parimisht janë të hapur dhe se nuk ka limit për pranimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve.

“Kushdo që shkel në Europë, ka të drejtën të trajtohet si njeri”, bëri thirrje Merkeli para përfaqësuesve të 75 partive popullore konservatore nga 40 vende. Ajo përsëriti fjalinë e saj identifikuese; “Ne do t’ia dalim! Duhet të punojmë së bashku me Turqinë dhe duhet të kthejmë sërish ligjin në kufijtë me partnerët e NATO-s, Turqinë dhe Greqinë”.

Mijëra refugjatë vijnë ditë pas dite me gomone në ishujt grekë. Merkel nuk komentoi lidhur me gjendjen kaotike në itinerarin e Ballkanit. Ajo u bëri thirrje kolegëve për të ndarë barrën në mënyrë të drejtë.

“Çdokush të kontribuojë në bazë të mundësive dhe kapaciteteve. Kjo ka qenë gjithmonë Europa dhe kjo është formulë suksesi. Prandaj nuk do të ndalemi së luftuari për këtë. Duhet ta përballojmë me solidaritet edhe këtë sfide, ndoshta më e madhja e dekadave të fundit”, tha Merkel.

Por kryeministri hungarez Viktor Orban e cilëson të gabuar këtë politikë. Ai kërkoi në Madrid sigurimin e kufijve europianë dhe kufizimin e fluksit të refugjatëve.

“Nëse kjo nuk funksionon në Greqi, atëherë Hungaria dhe Sllovenia duhet ta marrin vetë situatën në dorë. Europa sot është e pasur dhe e dobët. Kjo është përzierja më e rrezikshme. Nuk kam gjë kundra myslimanëve, por ne nuk kemi mandat të ndryshojmë thellësisht shoqërinë europiane”, tha Orban.

Duke iu referuar Merkelit, kryeministri Orban tha se refugjatëve nuk u duhen bërë premtimet që nuk mund të mbahen. Sipas tij shumë nga emigrantët nuk janë refugjatë lufte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA