Maqedoni, BDI: I domosdoshëm zbatimi i marrëveshjes së 2 Qershorit

23/10/2015 16:25

Partneri shqiptar i koalicionit qeverisës në Shkup, Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se zbatimi i marrëveshjes së 2 Qershorit në praktikë është i domosdoshëm dhe se çdo alternativë tjetër do të ishte e dëmshme për Maqedoninë.

Ky reagimi i BDI-së vjen pas paralajmërimeve të Brukselit se Maqedonia rrezikon izolimin ndërkombëtar nëse nuk zbatohet marrëveshja për zgjidhjen e krizës politike.

“Qëndrimi i BDI-së ngelet konsistent, kërkohet implementimi i plotë i marrëveshjes së 2 Qershorit, marrëveshje e arritur mes gjithë liderëve politik në vend, e ndërmjetësuar dhe e përkrahur fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtarë. Çdo alternativë e mos implementimit të kësaj marrëveshje do të ishte e dëmshme për Maqedoninë”, tha Abdilaqim Ademi, BDI.

Marrëveshja e 2 Qershorit është vënë në pikëpyetje për shkak se janë shkelur të gjitha afatet për zbatimin e saj në praktikë.

Ish-kandidati presidencial i opozitës maqedonase, Stevo Pendarovski, është i bindur se marrëveshja e 2 Qershorit e arritur mes katër partive kryesore në Shkup, do të dështojë.

Ai, thotë se Kryeministri Nikolla Gruevski, për të shmangur përgjegjësinë për krimet e bëra gjatë qeverisjes së tij, do të pengojnë implementimin e këtij dokumenti.

“Do të jetë e vështirë që të zbatohet marrëveshja sepse njëra nga pikat e dokumentit që ka të bëjë me Prokurorinë Speciale nuk i pëlqen Kryeministrit, pasi ai e ka të qartë se nga paditë e para që do të ngritën kundër tij do të përfundojë në burg. Prandaj, ai do të mundohet të bëj gjithçka për të penguar marrëveshjen e 2 qershorit, pasi zbatimi i saj do të thotë burg për Gruevskin”, ka deklaruar Stevo Pendarovski, ish kandidat presidencial.

Pendarovski, sheh vetëm një mundësi për dalje nga kriza, e ajo sipas tij, është dorëheqja e Kryeministrit Nikolla Gruevski, që siç thotë ai, mund të ndodhë përmes organizimit të protestave masive antiqeveritare dhe presionit të shtuar ndërkombëtar për largimin e Gruevskit nga pushteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA