Hollande në Athinë: Në fillim reformat e më pas negociatat për borxhin

23/10/2015 17:55

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në kryeqytetin grek, Presidenti francez, Francois Hollande ka shprehur mbështetjen e tij ndaj Greqisë për kapërcimin e krizës ekonomike dhe rikthimin tek ritmet e zhvillimit.

Në takimin me Kryeministrin Tsipras e më pas në fjalimin e tij para Parlamentin grek, ai ka paralajmëruar se javët e ardhshme do të jenë përcaktuese për Greqinë dhe ka shprehur besimin se Athina do t’i përmbahet premtimeve për zbatimin e reformave sipas nënshkrimit të marrëveshjes. Vetëm atëherë, kë thënë ai do të ketë negociata për borxhin e vendit.

“Ajo çka unë di është që kërkohen reforma. Ne jemi duke bërë të njëjtën gjë në Francë dhe kjo është diçka e mirë për të ardhmen. Unë e di se është e vështirë. Unë mendoj se pensionet duhen balancuar, se çështja e taksave duhet korrigjuar, se kërkohet liberalizim i aktivitetit ekonomik dhe modernizim i shtetit. Por këto reforma janë të nevojshme, jo vetëm për të balancuar llogaritë, por për të garantuar të ardhmen”, tha Hollande.

Hollande ka rikujtuar edhe njëherë se Franca ka qenë përkrah Greqisë në momentet e vështira të negociatave gjatë verës së kaluar, kur vendi ishte një hap larg daljes nga Eurozona, ka nënshkruar bashkë me Kryeministrin Tsipras një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin mes dy vendeve. Nga ana e tij, lideri grek premtoi se Athina do të respektojë marrëveshjen dhe ka kërkuar të marrin fund zërat për daljen e Greqisë nga Eurozona.

“Ky diskutim pa kuptim mbi largimin e Greqisë nga zona e euros, i ndarjes se Eurozonës, duhet të lihet jashtë tryezës një herë e përgjithmonë. Ne nuk mund të lejojmë askënd për ta vënë atë përsëri në rendin e ditës. Greqia duhet të dalë nga kjo krizë e gjatë që e ka dëmtuar atë”, tha Tsipras.

Hollande i është referuar përforcimit të lidhjeve ekonomike midis dy vendeve, si dhe të atyre kulturore e arsimore.

“Jemi në vend të katërt nga investitorët e huaj në Greqi”, ka thënë ai, duke shprehur dëshirën që Franca të marrë pjesë në më shumë investime në sektorin e energjetikës dhe të Shëndetësisë, ndërsa janë të shumta ato kompani franceze që kanë treguar interes për privatizimet greke, sidomos për kompaninë e hekurudhave.

Për sa i përket politikës së jashtme, ai ka theksuar pozicionimet e njëjta me Greqinë për mbarimin e luftës në Siri, si dhe për çështjen qipriote. Ndërsa për krizën e refugjatëve, ai ka deklaruar se nuk mund të lihen Greqia dhe Italia të vetme për të përballuar fluksin e pandalshëm të emigrantëve nga zonat e luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA