Gjermania po kalon një vjeshtë të egërsuar, thotë DW, pasi numri i sulmeve ndaj qendrave të azilantëve dhe personave që i ndihmojnë është rritur ndjeshëm.
Disa media vendase, si gazeta “Suddeutsche Zeitung”, apo televizonet rajonale NDR dhe WDR kanë publikuar raportin e Zyrës Federale të Kriminalistikës mbi situatën në vend, i cili ishte hartuar pak ditë para atentatit ndaj kryebashkiakes së zgjedhur të Këlnit, Henriete Reker.
Dokumenti tregonte se refugjatët dhe aktivistët humanitarë me shumë gjasë do të viheshin gjithmonë e më tepër në shënjestër të ekstremistëve të djathtë. “Menaxherët e qendrave të strehimit, por edhe politikanët mund të bëhen objekt sulmesh, e madje edhe persona që nga pamja e jashtme mund të konsiderohen si refugjatë, ka rrezik të bëhen pre e sulmeve të dhunshme”, thuhet në raport.
Zyra e Kriminalistikës konstaton se skena ekstremiste e djathtë pritet ta forcojë “agjitacionin” e saj kundër politikës së azilit. Sipas këtij institucioni gjerman, “spektri shumë heterogjen i ekstremistëve të djathtë” gjen në këtë pikë “konsesusin ideologjik”. Krahas zjarrvënieve, autorët janë të gatshëm të përdorin gjyle çeliku e kërbaçë druri.
Autoritetet i tremben edhe përdorimit të formave të reja si bllokadën e shinave të trenit apo të autostradave për të penguar ardhjen e refugjatëve. Sivjet në Gjermani, janë regjistruar rreth 461 akte të dhunshme ndaj qendrave të pranimit, shifër kjo dy herë më lartë se viti i kaluar.
Shumica e sulmeve janë kryer në gushtin e këtij viti dhe statistikat e rasteve të dhunës kryesohen nga landi Renani-Veriore-Vestfali, me 121 raste, pasuar nga Saksonia me 57 raste.
Top Channel