Një person i maskuar dhe i armatosur me një shpatë ka vrarë një nxënës dhe një mësues brenda ambienteve të shkollës në Suedi. Dy të plagosur të tjerë nga ngjarja e ndodhur në qytetin perëndimor të Trollhattanit janë në gjendje të rëndë për jetën.
Agresori është qëlluar nga policia dhe më pas i është nënshtruar një operacioni në një spital të afërt me vendngjarjen, por nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka humbur gjithashtu jetën. Ai ishte 21 vjeç dhe njihej si banor i Trollhattanit, bëri të ditur policia.
Dëshmitarë e përshkruan skenën e ngjarjes në shkollë si një kaos të plotë, me qindra studentë që largoheshin nga godina mes ulërimave. Ndërkaq mësohet se policia iu përgjigj një telefonate alarmi që raportonte mbi sulmin në fjalë të ndodhur në ambientet e kafenesë së shkollës Kronan, rreth orës 10:10 të së enjtes me orën lokale.
Mësuesi humbi jetën prej plagëve të marra në vendngjarje. Dy studentë meshkuj, të moshave 11 dhe 15 vjeç, si dhe një tjetër mësues u dërguan me urgjencë në spital, e deri më tani mësohet se njëri prej nxënësve ka ndërruar jetë.
Policia dha më shumë informacione gjatë një konference për shtyp që u mbajt gjatë pasdites, ndërsa raportime mediatike suedeze thonë se policia, së bashku me teknikë bombash, kanë shkuar në një adresë në Trollhattan, e që besohet të jetë shtëpia e të dyshuarit.
Gazeta suedeze “Dagens Nyheter” publikoi një foto, ku supozohet të shfaqet agresori në korridorin e shkollës, përpara sulmeve të kryera. Në foto duket një person i veshur në të zeza, me një helmetë në kokë, i maskuar dhe me një shpatë në duar, me një veshje që me të gjitha gjasat ka dashur të imitojë ato të shërbimeve sekrete naziste “SS”.
Zëdhënësi i policisë, Thomas Fuxborg, tha se policia kishte qëlluar dy herë, e njëri plumb kishte goditur agresorin por pa i shkaktuar vdekjen e menjëhershme atij. Asnjë motiv nuk është dhënë për arsyen e këtij sulmi deri më tani.
Kryeministri suedez, Stefan Lofven pritet të udhëtojë gjatë kësaj pasditeje në Trollhattan, por përpara udhëtimit ai u shpreh se kjo ishte “një ditë e zezë për Suedinë”. “Mendoj për viktimat dhe familjarët e tyre, studentë apo staf pedagogjik, si dhe të gjithë njerëzit e prekur në komunitet. Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë atë që po ndiejnë ata në këtë moment. Duhet të sigurohemi që ata do të marrin mbështetjen e nevojshme”, tha kryeministri.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm suedez, Anders Ygeman shkroi në Tëitter: “E kam marrë me trishtim dhe përbuzje lajmin për sulmin në shkollën e Trollhattanit. Mendimet e mia janë për viktimat dhe familjarët e tyre”.
Trollhattani është një qytet industrial në Perëndim të Suedisë, i ndodhur rreth 75 km në veri të Gotenburgut, qytetit të dytë më të madh të vendit.
Sulmet nëpër shkolla janë të rralla në Suedi. Kjo është hera e parë e një ngjarjeje të tillë, që prej të shtënave në Kungalv pranë Gotenburgut në vitin 1961, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 6 të tjerë.
Top Channel