Shtëpia e Bardhë ka dënuar ashpër vizitën e kryer në Moskë të presidentit sirian Bashar al Assad. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë kritikoi në orët e fundit rusinë për “shtrimin e tapetit të kuq”.
“Ne e shohim shtrimin e tapetit të kuq për Assad, që ka përdorur armë kimike ndaj popullit të tij, në kundërshtim me syniimin e deklaruar nga Rusia për një tranzicion politik në Siri”, deklaroi Eric Schultz për gazetarët.
Edhe një zyrtar i Departamentit të Shtetit reagoi mbi ngjarjen, duke thënë se, nuk ishte i habitur nga vizita, por shqetësimi kryesor i Shteteve të Bashkuara është vazhdimi i mbështetjes ushtarake të Rusisë, që sipas tij i ka dhënë guxim qeverisë së Assad për të vazhduar luftën civile.
Udhëtimi i liderit sirian ditën e martë në Moskë erdhi 3 javë pasi Rusia nisi sulmet në territorin e Sirisë kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Ky ishte dhe udhëtimi i parë i Assad jashtë vendit që nga fillimi i luftës civile në vendin e tij, në vitin 2011, konflikt që ka marrë jetën e më shumë se 250 mijë personave.
Ndërkohë, të enjten e ardhshme një grup parlamentarësh rusë do të takohen me presidentin Assad dhe kryetarin e Parlamentit sirian në Damask.
Në Moskë, vetë Assad shprehu mirënjohjen e tij për ndërhyrjen ushtarake ruse, duke thënë se, “ajo kishte ndalur terrorizmin që të përhapej dhe të bëhej më i rrezikshëm”.
Top Channel