Sinan Genim, arkitekti-restaurator dhe studiuesi i njohur turk, është ftuar nga instituti “Jonuz Emre” për të sjellë ekspertizë shkencore lidhur me menaxhimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Qëndrimi i tij për qytetin e përfshirë në UNESCO 10 vite më parë përshkohet nga bindja se Gjirokastra dhe zona e saj muzeale është duke jetuar një alarm.
“Patjetër që ekziston diçka që unë do ta konsideroja si alarm. Të gjithë do të donim që zonat, qytetet, qoftë në Shqipëri, qoftë në vendin tonë a kudo tjetër, të zhvillohen ekonomikisht, por kërcënimi më i parë i këtij qyteti është ky lloj zhvillimi ekonomik. Unë shikoj se në këtë lagje të vjetër nuk ka fëmijë, që do të thotë se është e braktisur. Shteti do ta kthejë në një muze dhe absolutisht qëllimi është që edhe kjo pjesë e qytetit të sjellë të ardhura dhe këto shtëpi dhe objekte duhet të jenë të gjalla, jo vetëm si muze, por ato duhet t’i shërbejnë njerëzve sepse janë njërëzit që i kanë ndërtuar e sjellë deri sot. Nëse një objekt prezanton vlera të larta muzeale, ai duhet të përbëjë një muze dhe është e vështirë që njerëzit të krijojnë kushte moderne brenda këtij ambienti, por nëse këto objekte degradojnë dhe kthehen në të pabanueshme nuk kanë më vlera as si muze sepse janë njerëzit që i japin frymë dhe vlerë këtyre objekteve”, shpjegon Genim.
Sinan Genim e konsideron braktisjen e kalasë dhe kullës së sahatit në Gjirokastër si një mungesë vullneti në vijimësi të njerëzve që e kanë qeverisur dhe administruar trashëgiminë kulturore. Ai tërheq vëmendjen për mungesën e shtresave të reja të jetës përrreth objekteve të vjetra, që po i lënë këto të fundit, me në qendër kështjellën, të braktisura.
“Ajo që do të shtoja unë është se nëse qytetërimit nuk do t’i shtohen shtresa të reja, pra, nëse në një vend, ta zëmë rreth kalasë, nuk do të ketë diçka të re, që mund të jenë struktura të lehta të tipit kafe apo vende për të kaluar kohën, zona nuk do të ketë jetë. Nëse nuk do të ndodhin gjëra të tilla, ky do të mbetet një qytet i braktisur që nuk ka vlerë për askënd”, shton Genim.
Profesori Sinan Genim vjen në Shqipëri për herë të tretë. Pak kohë më parë ai ishte kurator i ekspozitës fotografike “100 vjet Stamboll, nga Kostandinopoja në Stamboll”, në galerinë FAB në Tiranë.
Top Channel