Ekspertët: Të deklarohet minimumi jetik. Antiinformaliteti të shoqërohet me politika sociale

21/10/2015 14:35

Avokati i Popullit, në një auditorium me ekspertë të ekonomisë dhe shkencave sociale, ka thënë se numri i të varfërve në vend është rritur dhe se, qeveria shqiptare duhet të deklarojë minimumin jetik, si një tregues që lidhet jo vetëm me nevojat për mbijetesë, por edhe si bazë e përcaktimit të skemave të mbrojtjes sociale.

“Gjatë kësaj periudhe kam pasur mundësinë të udhëtoj në të gjithë Shqipërinë. Ajo që vërehet është se janë shtuar të varfrit, por ky është një konstatim. Pikëpyetja jonë është, cila është përgjigjja e shtetit shqiptar ndaj kësaj situate? Sa nga ata, që po i quajmë shtresë e mesme, po rrëshqasin drejt varfërisë?”, deklaroi Igli Totozani, Avokat i Popullit.

Zef Preçi u shpreh se në 25 vite tranzicion, pamundësia financiare e shtetit për t’u kujdesur për shtresat në nevojë është kompensuar me sektorin informal dhe se, në kushtet e një aksioni të gjerë të qeverisë për të luftuar informalitetin, nevojitet harmonizim dhe me politika sociale për shtresat në nevojë.

“Ndoshta kjo është arsyeja dhe, kur ka një përpjekje nga qeveria për të reduktuar informalitetin, herë herë edhe në mënyrë arbitrare, rezultatet duhen parë. E konsideroj të dobishme të harmonizohet sektori informal me atë formal, sepse askush nuk do të dëshironte, që të mbushej arka e shtetit dhe njerëzit të vrisnin veten, ashtu siç kanë bërë”, tha Zef Preçi, ekspert ekonomie.

Shqipëria nuk ka kryer asnjëherë matje të minimumit jetik, ndërsa sipas anketës së vitit 2012 të INSTAT-it mbi matjen e nivelit të jetesës, rezulton që niveli i varfërisë në vend është 14.3%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA