Nga Pajtim Bello – Çështja CEZ, që dukej se ishte arkivuar, u kthye përsëri dhe si një stuhi ethesh pushtoi teatrin e ngjarjeve në Shqipëri. Politika, institucionet shtetërore, media, analistë të varur e të pavarur dhe i gjithë opinioni publik lundroi mbi shtresën vluese të kësaj stuhie. Koha prodhoi më shumë debat politik të mbingopur me mjegull dhe shterpësi. Që në fillim, më duhet të them se nuk ka një çështje puritane CEZ, por ka një çështje CEZ – qeveri shqiptare. Natyrisht nuk mund të ketë një çështje ku ka luajtur vetëm një palë, CEZ-i.
Më tej, e them pa mëdyshje se çështja përfaqëson një mozaik papërgjegjshmërish, shkeljesh, shpërdorimesh, abuzimesh etj., të institucioneve shtetërore apo individëve shtetarë, që ka krijuar një traumë të rëndë në sistemin elektrik dhe tregun e energjisë; ka krijuar humbje financiare kolosale, që i ka paguar buxheti i shtetit dhe xhepi i shqiptarëve; ka krijuar ambient për një veprimtari korruptive, ku me sa duket janë përfshirë institucione, individë në nivele të ndryshme të administratës shtetërore, deri administratorë në shoqëri private, që kanë bashkëpunuar me segmente apo individë të administratës shtetërore. Meqë opinioni publik është i ngarkuar, do të trajtoj vendimet politike më të spikatura që ka marrë qeveria “Berisha” dhe qeveria “Rama” gjatë zhvillimeve në këtë histori.
Vendimi politik i parë i qeverisë “Berisha” është privatizimi i ish-OSHE sha. Në përfundim të procesit të privatizimit, qeveria “Berisha” nxitoi të korrë dafinat dhe deklaroi se kriza në sektorin e energjisë elektrike mori fund e se për këtë sektor kishte nisur një epokë e re. Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Në më pak se tre vjet, privatizimi rezultoi një dështim i madh, që krijoi një gjendje të rëndë në sektorin e energjisë elektrike. U mbars një gjendje kolapsi, ku treguesit sintetikë të sektorit, humbjet e energjisë elektrike ishin ndjeshëm më të përkeqësuara krahasuar me ato para privatizimit. Humbjet e energjisë elektrike në një nivel shumë të lartë, rreth 52%. Niveli i arkëtimit të energjisë elektrike të faturuar rreth 73%. Këta dy tregues sillnin që nga energjia elektrike e hedhur në treg të arkëtohej me pak se 35% e saj!.
Vit për vit, 50 deri 100 milionë euro të shqiptarëve shpenzoheshin për importin e energjisë elektrike, që shkonin në xhepat e kusarëve, nga hajdutët klientë deri te hajdutët zyrtarë e qeveritarë. Borxhet mes operatorëve në sistemin elektrik arrinin rreth 1.2 miliardë euro. Të gjithë operatorët në prag kolapsi. Sistemi bankar nuk jepte kredi, sepse kishte humbur besimin dhe garancinë; për të mos thënë se ndaj operatorëve privatë të prodhimit të energjisë elektrike bankat kishin nisur sekuestrimin e pasurisë, për moskthim të kredive të marra. Qeveria “Berisha”, për të larë faqen e saj nga kjo katrahurë, deklaroi se CEZ-i dështoi në Shqipëri. E pra, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, as kryeministri Berisha dhe as ndonjë ministër i kabinetit të tij nuk morën qoftë edhe përgjegjësinë minimale. E pakta dikush duhej t’u kërkonte ndjesë shqiptarëve për dëmin e madh që u erdhi nga një vendim politik i qeverisë së tyre. Një qeveri serioze do të tregonte edhe shkaqet përse ndodhi kjo katrahurë, të dilte para qytetarëve dhe të merrte përgjegjësitë e veta. Këtë nuk e bëri kur ishte në pushtet dhe nuk po e bën ende, kur tashmë e vërteta ka dalë lakuriq.
Vendimi politik i dytë i qeverisë “Berisha” është përzënia në panik dhe pa asnjë procedurë e CEZ-it. Si të thuash, CEZ-i erdhi triumfalisht ditën me diell dhe iku natën fshehurazi! Përzënia e CEZ-it do të ndodhte në mënyrë të pashmangshme, por veprimet u kryen në panik, me mllef nga dështimi. Përzënia e dhunshme e CEZ-it u bë vetëm e vetëm për të hequr përgjegjësinë e rëndë nga vetja. Nuk u krye asnjë procedurë, përveç heqjes së licencës. Nuk u mor asgjë në dorëzim prej administratorëve të CEZ-it, duke hapur një kapitull të ri problemesh dhe abuzimesh … CEZ-i iku, por na la në duar dopiogjashtën e lojës me qeverinë “Berisha”. Ikja e turpshme dhe e fshehur e CEZ-it solli një zinxhir problemesh, që sot po i vuajmë të gjithë së bashku. Ish-kryeministri dhe oborrtarët e tij mbajnë të njëjtin qëndrim, si edhe në rastin e dështimit të privatizimit; vetëm zhurmojnë dhe hedhin baltë mbi të tjerët.
Qeveria “Rama ka marrë vendimin politik për zgjidhjen me marrëveshje të konfliktit të trashëguar CEZ-qeveria “Berisha”. Në analizën e rrethanave që ndikonin mbi çështjen dhe të situatës së rëndë të sistemit elektrik në vend, qeveria vendosi për këtë zgjidhje. Në të njëjtën kohë, qeveria “Rama” vendosi krijimin e një Task Force për të ulur humbjet e energjisë elektrike dhe për të rritur arkëtimin e faturave të energjisë elektrike në kuadrin e një reforme energjetike gjithëpërfshirëse. Për të dyja këto vendime jo të lehta, që asnjë qeveri para saj nuk guxoi t’i merrte, qeveria “Rama” pranoi të përballet me çfarëdo risku. Dhe tashmë, në afër dy vjet, treguesit sintetikë të sistemit elektrik janë përmirësuar ndjeshëm, aq sa nuk pritej të ndodhte dhe as që krahasohen me nivelet katastrofike të periudhës së qeverisë “Berisha”. Sistemi elektrik doli nga kolapsi dhe dita-ditës po konsolidohet. Për vitin 2014, humbjet u ulën në 37.8%. Si 9-mujor 2015 humbjet janë 31.1%, kurse niveli i arkëtimit me gjithë arkëtimin e faturave të prapambetura ka arritur në 112%. Mbledhja e faturave të prapambetura ka arritur në rreth 215 milionë euro. Humbjet për muajin shtator 2015 janë 25.3%. Donatorët ndërkombëtarë kanë dhënë 273 milionë euro kredi dhe janë në negociim edhe 100 milionë euro të tjera. Në rrjetën e konsumatorëve ligjorë kanë hyrë rreth 150 mijë abonentë. Nga dhjetori i vitit 2014 deri në tetor 2015 janë lidhur 340 mijë aktmarrëveshje të reja klient-OSHEE, prej të cilave rreth 57% kanë përfituar zbritjen me 80% të kamatëvonesës. Në harkun kohor 2015-2018 janë programuar të kryhen investime për rehabilitim dhe modernizim të sistemit elektrik me një vlerë prej 420 milionë dollarë, tashmë me burime financiare të siguruara. Prodhuesit privatë të energjisë elektrike kanë marrë pagesat e prapambetura dhe po paguhen rregullisht për energjinë elektrike të shitur në sistem. Pagesat e OSHEE sha ndaj KESH sha dhe OST sha, janë rritur ndjeshëm.
Sot thuhet pa hezitim se sistemi elektrik shqiptar ka hyrë në gjendjen e stabilitetit dhe po synon konsolidimin nëpërmjet përmirësimeve strukturore, modernizimit dhe reformës reale që po kryhet në këtë sektor jetik të ekonomisë. Donatorët kanë kthyer sytë nga sistemi elektrik dhe kanë krijuar besimin për këtë partner. Ftoj të bëjmë krahasimin e rezultateve për vendimet politike që morën dhe zbatuan dy qeveri, ajo e Berishës dje dhe kjo e Ramës sot. Kur i kanë marrë vendimet, të dyja qeveritë kishin të njëjtin qëllim: të nxirrnin sistemin elektrik nga kriza dhe ta zhvillonin atë. Mirëpo rezultati është diametralisht i kundërt. Ndërsa qeveria “Berisha” dështoi, qeveria “Rama” arriti suksesin. Është e drejta e çdo qeverie të marrë vendime politike. Askush nuk mund t’i gjykojë qeveritë përse ato marrin vendime politike, sepse ato për këtë janë votuar. Por qeveritë duhet të ballafaqohen me rezultatin që sjell vendimmarrja e tyre dhe të përgjigjen për këtë rezultat. Besoj se mjafton kaq të kuptojmë çfarë dhe pse ka ndodhur; kush, kur, si dhe sa ka gabuar.
Gazeta “Shqip”
Top Channel