Agjentë të policisë së Dibrës kanë kryer këtë të martë një operacion kontrolli, gjatë të cilit janë arrestuar 4 persona dhe janë sekuestruar 11 kg marijuanë dhe disa armë zjarri.
Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga komisariati lokal i policisë, gjatë operacionit, të koduar me emrin “Vjeshtë në Lurë”, janë arrestuar shtetasit Arjan Vladi, Ramazan Leka dhe Drilon e Mehmet Kaca.
Sipas burimeve, personat në fjalë ishin mbledhur në banesën e shtetasit Arjan Vladi, ku dhe janë gjetur dy thasë me 11 kg marijuanë dhe disa qese me 30 gramë farë kanabisi. Gjithashtu, gjatë bastisjes është gjetur edhe një armë zjarri model 56, të cilën i zoti i shtëpisë e mbante pa leje.
Kontrollet, vijon njoftimi për shtyp, u zhvendosën edhe në banesat e të arrestuarve të tjerë, në një prej të cilave u gjet një tjetër armë model 56, e pajisur me një krëhër me 30 fishekë.
Krerët e policisë lokale kanë nisur tashmë koordinimin me prokurorinë e rrethit, për procedimin e 4 shtetasve nën akuzat e trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje.
Top Channel