Zinxhira, lagjia e të varfërve

19/10/2015 11:20

Shkatërrimi i gjithë sistemit të krijuar nga kultivimi i hashashit në fshatin Lazarat ka sjellë pasoja në një nga lagjet më të varfëra të Gjirokastrës, lagjes “Zinxhira”.

Një nga arsyet se përse kjo lagje e varfër në Gjirokastër u 30 fishua në numër popullsie ishte puna e garantuar në parcelat me hashash e më pas në përpunimin e saj në Lazarat.

Në këtë lagje në 10 vitet e fundit janë zhvendosur familje nga Fieri dhe Lushnja, të cilat përveç hashashit punësoheshin edhe në 15 ndërmarrjet e fasonerisë të cilat edhe këto falimentuan për shkak të krizës greke. Tani kanë mbetur vetëm 3, shumë pak për të plotësuar nevojat për punësim.

“Ne kemi ardhur në 2009, për arsye të punës. Këtu ishte një periudhë që kishte goxha punë, tani janë mbyllur komplet punët dhe në këtë lagje nuk ka as ujë, as rrugë të sakta, as gjë prej gjëje. Kishte plot ndërmarrje, që nga këpucaria, rrobaqepësia,që nga kutitë e çantave, të petëve. Çdo gjë ishin të hapura, tani janë mbyllur krejtësisht. Po bëj tre vjet pa punë”, thotë Shkëndie Xhaka, banore e lagjes “Zinxhira”.

Elidiana që jeton këtu me familjen e saj 5 anëtarëshe prej 10 vitesh thotë se të ardhurat që i shoqi siguron në ndërtim kur ka punë nuk mjaftojnë për asgjë.

“Unë kam 12 vjet që kam ardhur, punë në fillim kishte se punoja në fabrikë çantash, rrobaqepësi, këpucari. Jam veti i pestë, kam tre vjet që nuk po punoj. Kisha burrin në punë në mermer, dhe tani është pa punë. Në këto kushte hiç”, thotë Elidiana Xhaka.

Varfëria në këtë zonë shoqërohet edhe me një braktisje edhe të shërbimeve, mungojnë rrugët dhe gjithë zonën e kanë mbuluar mbeturinat.

“Njëlloj ka qënë si përpara dhe tani. Nuk ka patur punë këtu, kjo është lagje fukara janë të gjithë pa punë, të gjithë me qira. Në kohën e parë në ndërtim kanë punuar, kurse tani s’ka më. Djalin në punë e kam, po ka plot pa punë, burra e gra”, thotë një grua e moshuar.

Kostaq Deçka banor i vjetër i lagjes thotë se menjëherë pas viteve ‘90 në këtë territor jetonin jo më shumë se 50 familje ndërsa migrimi që pasoi nga rrethinat e Gjirokastrës dhe rretheve të tjera të Jugut ka bërë që popullsia në këtë hapësirë periferike të 30 fishohet.

“Njerëzit këtu janë fukarenj, nuk kanë.  Situata që kur kam ikur unë në Greqi në ’96 e kam dy vjet që u ktheva, prapë ajo gjendje është. Gjithësekush punon vetë, është në hesap të tij. Dhe këta që kanë ardhur këto vitet e fundit e dinë vetë, se ikën e lanë vendet e tyre dhe erdhën këtu. ”, rrëfen Kostaq Deçka banor i lagjes “Zinxhira”.

Fshati Lazarat nuk ofron më punësimin e dikurshëm. Kur në Lazarat lulëzonte industria e hashashit, banorët e kësaj lagje, kryesisht gratë udhëtonin çdo ditë me furgona në fshatin rebel duke marrë pagesa të kënaqshme për përpunimin e drogës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA