Gjykata e Krimeve të Rënda la në masën “arrest me burg” 7 të arrestuarit e operacionit “Koordinata”, të dyshuar si të përfshirë në një grup kriminal në qytetin e Durrësit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se ata janë të përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe krijim e pjesëmarrje në grup kriminal.
Festim Xhelilaj, Lufti dhe Qerim Xeka, Pajtim Bracaj, Ajet Sulaj, Bejto Kotaj dhe Iqmet Pashollari, sipas prokurorisë, gjatë muajve qershor-korrik 2015 dyshohet se kanë ngritur një laborator droge në Durrës, tek i cili paketohej lënda narkotike për t’u trafikuar jashtë vendit.
Lënda narkotike, e llojit kanabis sativa, sipas prokurorisë, së pari grumbullohej në një objekt që ishte pronë e shtetasit Bejto Kotaj, në qytetin e Shkodrës.
Kjo drogë blihej nga qytete në veri të vendit, ku dhe ishte kultivuar. Ndërkohë që pas magazinimit, sipas përgjimeve disa mujore dhe vëzhgimeve policore, lënda narkotike transportohej në një objekt në Durrës, i cili pritet të vendoset nën sekuestro.
Prej këtej, sipas prokurorisë, droga përgatitej për t’u trafikuar në linjën Durrës-Itali.
Top Channel