Kriza e simbolikës së festës

18/10/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Nuk ka kaluar as një javë që nga triumfi i Kombëtares sonë në Armeni dhe pjesëmarrja e Shqipërisë për herë të parë në një veprimtari ndërkombëtare futbolli, siç është Euro 2016, do të kujtohet gjatë.

Është e natyrshme që shumë gjëra do të harrohen, shumë detaje do të amplifikohen, shumë të tjera do të deformohen, por ajo që do t’i habisë brezat e ardhshëm kur ata t’i kthehen kësaj ngjarjeje do të jetë momenti kur ata të shohin se si u gëzuam, si e kremtuam këtë ditë të madhe. Në këtë rast ata do të lemerisen nga varfëria e simbolikës së gëzimit, nga imazhet primitive të gëzimit dhe do ta kenë të vështirë të kuptojnë se cili ka qenë niveli ynë i formimit, i qytetërimit dhe se çfarë simbolikash përdornim për të shprehur ngazëllimin, harenë, gëzimin, ekstazën, pra çfarë simbolikash ruajmë sot për festat.

Pak histori

Siç thonë dijetarët e shkencave antropologjike, festat në jetën e njeriut janë një institucion që ka një histori të hershme. Në fillim ato ishin të shenjuara nga dy simbolika, nga Dielli dhe Hëna. Festa si institucion mund të vështrohet nga disa anë. Nga pikëpamja fenomenologjike njerëzimi është i vetëdijshëm për ciklet që janë në themel të jetës. Festat në fillim ishin shenja që ndërtonin këto cikle. Më vonë kalendari i festave u pasurua sidomos në shoqëritë pagane. Kristianizmi shumë nga festat e tij, si Pashkët fjala vjen, i vendosi në datat e festave pagane në mënyrë që përfshirja në to të ishte sa më e madhe. Nga pikëpamja shoqërore festat shërbejnë që një komunitet i caktuar të identifikohet me grupin ku ai bën pjesë. Festat po ashtu janë një lloj rebelimi ndaj monotonisë së përditshmërisë. Siç vëren dhe Frojd te “Totem e tabu” festa është një teprim i lejuar, një shpërthim i miratuar që i kapërcen kufijtë e jetës në rregulla dhe në norma. Festat janë një lloj shkatërrimi madhështor i konvencioneve të jetës. Me një fjalë, gjatë festimeve, njerëzit mund të kalojnë deri edhe në ekstazë. Siç e thashë në fillim festa përforcon simbolikisht ndjenjën e përkatësisë në një grup apo etni të caktuar. Ndaj edhe shqiptarët sa herë që kanë festë përsëritin një lajtmotiv që i çon deri në ekstazë dhe që është slogani i njohur “o sa mirë me qenë shqiptar”.

Por çfarë është një shqiptar i gëzuar?

Nëse do të ndiqje festën e madhe që u organizua në mënyrë spontane nga të rinjtë ditën që Kombëtarja shqiptare mbërriti nga Armenia, për fat të keq do të vëreje një popull të çorganizuar që nuk ka institucione. Sot i vetmi institucion që ka marrë përsipër të ndërtojë simbolikën e festave mbarëkombëtare është kompania DIGITALB, e cila me sa duket vazhdon një ëndërr të themeluesit të saj, Dritan Hoxha. Kjo kompani ia ka arritur që të ndërtojë një rrjet mbarëkombëtar dhe me mbështetjen që i ka dhënë Kombëtares Shqiptare ka krijuar hapësirën mbarëkombëtare duke i bashkuar emocionalisht shqiptarët kudo që janë. Por një kompani private kaq mund të bëjë. Ajo që mungon në këtë rast është përkujdesja shtetërore. Ditën e madhe të kualifikimit për herë të parë të Shqipërisë në Euro 2016, ne ishim një vend pa shtet. U shfaq me një protagonizëm të tepruar Kryeministri i vendit dhe pastaj asgjë. Megjithëse kishte mjaft kohë në dispozicion, asnjë institucion kulturor i vendit nuk mendoi që të rifreskonte kujtesën kolektive me simbolikën e gëzimit dhe të festës.

Pesha e rëndë e turbofolkut

Gjithë pesha e asaj dite të ngarkuar me aq gëzim dhe ekstazë ishte në dorën e një apo dy këngëtarëve modestë, të cilët këndojnë himnin e krijuar prej tyre dhe sponsorizuar prej kompanisë DIGITALB për Kombëtaren shqiptare. Ata kaq mund të bënin. Ndërkohë, ata mijëra e mijëra shqiptarë që ishin në shesh, ata miliona e miliona shqiptarë që e ndiqnin përmes ekranit duhet të shihnin një produkt tjetër. Në raste të tilla solemne simbolika e gëzimit duhet të ushqehet me këngët më të bukura shqiptare, me këngëtarët më të mirë shqiptarë, pra ishte rasti që ne të tregonim se kemi një simbolikë të gëzimit që është dinjitoze dhe europiane. Kjo mund të realizohej në një podium tjetër ose mund të bëhej në bashkëpunim me DIGITALB-in, por është e pafalshme që institucionet e simbolikës së festave ishin shuar atë ditë. E kam thënë dhe e përsërit me forcë që kjo qeveri i ka shuar institucionet e kulturës, po vdes RTSH-në dhe po masakron kujtesën kolektive me protagonizma të një grupi të vogël mediokrish pa talent. Ndërsa ajo që ndodhi në ditën më të bukur të shqiptarëve është një krim. Është një krim i rëndë që u është bërë shqiptarëve nga një qeveri që nuk respekton simbolikën e gëzimit, që e ka lënë peng këtë popull në gojën e turboflokut shqiptar dhe që festa të tilla të mëdha siç ishte edhe ajo e së hënës që shkoi i vajton ende me kokën e Aliut. Sepse kjo këngë ka mbetur si emblemë e gëzimit tonë në dasma, në festa dhe në ceremoni solemne.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA