“Unë jam Judith Heumann. Unë përdor një karrike me rrota dhe jam një diplomate”. Kështu e ka nisur prezantimin e saj këshilltarja e posaçme për personat me aftësi të kufizuara pranë Departamentit amerikan të Shtetit, Judith Heumann, e cila gjatë vizitës së saj në Shqipëri e vuri theksin tek rëndësia e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.
“Qeveria shqiptare ka miratuar konventet e personave me aftësi të kufizuara dhe pjesë e këtij traktati është edhe punësimi i këtyre personave, si dhe largimi i kufizimeve që nuk lidhen vetëm me punësimin, por edhe me çështjet e tjera dhe kjo është e vetmja formë për t’i dhënë fund diskriminimit. Është e rëndësishme që qeveria shqiptare të japë shembuj pozitivë, pra të punësoje njerëz me aftësi të kufizuara në institucione shtetërore, sepse kjo u tregon edhe bizneseve private që këta persona janë të aftë të punojnë”, thotë Heumann për Top Channel.
Në Shqipëri një pjesë e madhe e personave me aftësi të kufizuara nuk arrijnë të arsimohen pasi ka mungesa në infrastrukturë.
“Fëmijet me aftësi të kufizuara në Amerikë kanë mundësi ta ndjekin shkollën, ndërsa në Shqipëri më kanë informuar se ka shumë vështirësi. Ka fëmijë që nuk ndjekin arsimin, pasi nuk kanë mundësi të ndryshme. Nëse këta fëmijë nuk kanë mundësi të marrin arsimin e duhur, ata do të kenë probleme të përballen nesër me tregun”, thotë Heumann.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes nismës që ka marrë presidenti Obama, 13 për qind e personave që kanë të paktën një aftësi të kufizuar janë punësuar në administratë.
Top Channel