PD i dorëzon opinionin Komisionit të Venecias: Ndryshimet kushtetuese po bëhen në fshehtësi

16/10/2015 10:10

Partia Demokratike i ka dërguar opinionet për reformën në drejtësi Komisionit të Venecias. Dokumenti prej 54 faqesh u është dërguar për dijeni edhe ambasadës së SHBA, asaj të BE dhe OSBE në Tiranë.

Opozita thekson faktin se këtë opinion do tu duhej ta shprehnin paraprakisht tek autoritetet vendase, por opozita është përjashtuar de facto nga procesi. Në këtë dokument që mban firmën e nënkryetarit të komisionit për reformën në drejtësi, Eduard Halimi thuhet se përjashtimi i opozitës nëpërmjet hartimit të amendamenteve kushtetuese në fshehtësi dhe pa thirrur ekspertët e caktuar nga opozita, i ka detyruar që këtë opinion tia paraqesin drejt për drejtë Komisionit të Venecias.

Në parantezë të analizës nen për nen të projektligjit për reformnë në drejtësi, demokratët thonë se opinioni është përgatitur në një kohë shumë të shkurtër, vetëm tri ditë, duke akuzuar maxhorancës se ka hartuar këtë projektligj në fshehtësi të plotë.

“ Opozitës parlamentare nuk iu dha asnjë mundësi për të shprehur mendimin e saj mbi projektligjin apo për të sugjeruar zgjidhje të reja apo propozime për përmirësime të mundshme, përpara se drafti t’i paraqitet për mendim Komisionit të Venecias. Dëshirojmë të theksojmë se kjo është hera e parë në Shqipëri, që hartohen ndryshime të tilla thelbësore kushtetuese, në fshehtësi të plotë, dhe opozitës parlamentare apo ekspertëve të caktuar prej saj, nuk i jepet asnjë mundësi për të kontribuar në përgatitjen e tyre apo për të dhënë mendim mbi to, edhe pse votimi i tyre në Kuvend kërkon ligjërisht edhe votat e deputetëve të opozitës”, thuhet në dokumentin e PD-së.

Një tjetër problematikë që theksohet në këtë dokument është ajo e hartimit të ndryshimeve kushtetuese nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Sipas opozitës, ky grup është nxituar për shkak se është në presion nga niveli politik si dhe garancitë politike të marra më herët nga ky grup.

“Cilado qoftë arsyeja e këtij nxitimi, për ne është e papranueshme që procesi i hartimit të ligjit më të rëndësishëm të organizimit shtetëror të tregohet një mungesë kujdesi në nivel teknik, sepse këto gabime sjellin dy pasoja të rënda. Së pari, gabime të tilla shkaktojnë cenimin e qëndrueshmërisë së tekstit tërësor të Kushtetutës sepse nuk përdoret një gjuhë e harmonizuar. Së dyti, gabimet teknike krijojnë paqartësi të normës kushtetuese, të cilën doktrina dhe jurisprudenca kushtetuese e emërton si një element të papajtueshëm me sigurinë juridike, që mbart rrezikun e keqinterpretimit praktik të tyre”, thuhet në dokument.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA