Fermerët e Devollit protestë para Kuvendit, reagojnë për mosshitjen e mollëve

15/10/2015 10:40

Fermerët që u takuan të hënën me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha në Devoll, janë zhvendosur në një protestë simbolike përpara Parlamentit në Tiranë.

Por jo gjithçka ka shkuar qetë. Forcat e rendit dhe siguria e Parlamentit kanë ndërhyrë për të larguar një makinë me mollë dhe më pas edhe arkat me mollë për të mos cënuar sigurinë e deputetëve dhe ministrave.

Fermerët u mbështetën nga deputetë të Partisë Demokratike dhe nga kryetari demokrat i bashkisë së Devollit, të cilët patën disa momente tensioni me forcat e rendit dhe të sigurisë së Parlamentit.

Fermerët ankohen se prodhimet e tyre kanë mbetur pa shitur ose po shiten me çmime nën kosto për shkak të ngarkesave kontrabandë me fruta dhe perime nga Greqia, për shkak të rritjes së kostos nëpërmjet rritjes së çmimit të karburantit, plehërave kimike dhe mungesës së subvencionit nga shtetit prej gati dy vjetësh.

“Mallrat nga Greqia futen e konkurojnë në mënyrë të padrejtë, në mënyrë të pandershme. Kjo nuk është tregti e lirë, po skllavëri. Nga 500-600 lekë të vejtra që shitej molla dy vjet më parë ka vajtur në 350 lekë të vjetra. Cilësia rritet e përmirësohet po mundi juaj zhvlerësohet”, tha Ridvan Bode, deputet i PD-së.

Disa prej deputetëve demokratë shkuan më pas në polici, ku u mbajtën të shoqëruar dhe më pas u liruan disa prej protestuesve para Parlamentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA