Apple ka humbur betejën ligjore me Universitetin e Uiskonsit mbi patentën e një teknologjie mikroçipash, që kompania e teknologjisë përdor në disa pajisje të vetat, kryesisht iPhone dhe iPad.
Universiteti kishte paditur Apple për përdorimin e kësaj teknologjie pa marrë më parë miratimin e tij.
Bëhet fjalë për një teknologji që përmirëson ndjeshëm performancën e mikroçipeve, të cilën Apple e ka aplikuar me sukses në iPhone 5s, 6, 6 Plus, 6s dhe 6S Plus.
Universiteti i Uiskonsit zotëron patentën e përdorimit të kësaj teknologjie që në vitin 1998. Në 2008-n, po me të njëjtin objekt u padit edhe kompania e prodhimit të mikroçipeve, Intel. Çështja u zgjidh me mirëkuptim dhe Intel ra dakort t’i paguajë një shumë të caktuar Universitetit.
Me Apple gjërat shkuan ndryshe. Sipas Universitetit të Uiskonsit, kjo kompani refuzoi të merrte licencë për përdorimin e kësaj teknologjie duke paguar një shumë të caktuar për disa vite dhe injoroi ofertën e paraqitur prej këtij universiteti.
Injorimi i kushtoi Apple plot 862 milionë dollarë. Kaq është gjoba e vendosur nga gjykata amerikane kundër gjigantit të teknologjisë.
Top Channel