170 mijë studentë të cilët kanë nisur vitin e ri akademik, do të jenë pjesë kyçe e zbatimit të ligjit të ri të arsimit të lartë. Rektori i univertistetit të Tiranës Dhori Kule, tha se qeveria ka futur në planin e saj të investimeve korpusin universitar, i cili pritet të përfundojë pas dy apo tre vitesh
“Qeveria shqiptare ka futur në prioritetet kampusin e mirëpritur dhe dëshiruar të universitetit të Tiranës, që do të jetë këtu afër, procedurat janë futur në prioritetet e investimeve. Ne ato që kemi kursyer do t’i vëmë në dispozicion të këtij kampusi që ju që keni filluar sivjet universitetin e Tiranës, të paktën në vitin e tretë të gëzoni shërbimin e një kampusi të ri të universitetit të Tiranës që është nga më modernët në Europë”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se stafet akademike, do të kenë një rol kyç në zbatimin e ligjit të arsimit të lartë, i cili u jep më shumë autonomi dhe më shumë përgjegjësi universiteteve.
“Autonomia e re universitare, administron nga pikëpamja financiare më mirë universitetin nëpërmjet figurës së administratorit që e gjen në shumë borde të eksperiencave ndërkombëtare. Ndaj jeni ju pedagogë që keni mundësinë të zgjidhni mbi numrin dhe kuotat e studentëve, të përcaktoni kriteret e pranimit, tarifat për studimet dhe të jeni ju ata që vendosni me gjithë karrierën akademike. Ftesa jonë është për të mbështetur jo vetëm kampusin, por profesorët në punën e tyre pasionante, studentët etj”, tha ministrja Nikolla.
Fillimi i vitit të ri akademik ka përkuar edhe me ditën e kthimit të ekipit kombëtar në Tiranë, çka ka bërë që të mos mungojnë atmosfera festive por edhe batutat simbolike rreth kësaj fitoreje historike.
Top Channel