Menaxhimi i emigrantëve, kusht për liberalizimin e vizave për Turqinë

08/10/2015 01:27

Edhe pse heqja e regjimit të vizave me Turqinë ishte premtuar për në vitin 2017, BE kushtëzon liberalizimin e vizave me zbatimin e planit të veprimit mbi menaxhimin e emigrantëve.

Drafti iu dorëzua pak ditë më parë, në Bruksel, Presidentit Erdogan, i cili, megjithëse erdhi zyrtarisht për hapjen e festivalit ndërkombëtar të artit, “EUROPALIA”, u prit nga krerët më të lartë të tre institucioneve kryesore të BE-së, për të darkuar më pas bashkërisht me ta.

Sipas Komisionit, drafti i Planit të Veprimit përcakton një seri çështjesh urgjente që duhen zbatuar menjëherë nga Bashkimi Europian dhe Turqia për të menaxhuar fluksin tepër të madh të refugjatëve dhe për të parandaluar emigracionin e parregullt drejt BE-së, përmes korridorit Ballkanik, siç dëshmojnë dhe pamjet e satelitit europian.

Si përkrah Presidentit Erdogan, ashtu dhe në seancën plenare të Strasburgut, Presidenti Junker tha se “Unioni dhe Turqia ecin e punojnë së bashku për krizën e refugjatëve”. Por, ndërsa BE has vështirësi qoftë edhe për të numëruar në kohë qindra mijëra refugjatët e ardhur muajt e fundit, Turqia menaxhon në territorin e saj 2.5 milionë emigrantë.

Megjithëse njohin rolin kyç të Ankarasë në përballimin e kësaj krize, eurodeputetët u shfaqën mjaft kritik gjatë debatit në plenaren e Strasburgut, veçanërisht për lirinë e medias dhe respektimin e të drejtave themelore nga vendi më i vjetër me statusin kandidat në BE.

Sipas tyre, “lufta kundër terrorizmit nuk mund të shërbejë si pretekst për sulmet e qeverisë turke ndaj kundërshtarëve politik” dhe vendi duhet të angazhohet në një proces paqeje me Kurdët.

Përgatiti: Arta Tozaj 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA