Rritja e përfshirjes së Rusisë në konfliktin sirian pritet të jetë në krye të axhendës së ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, të cilët do të mblidhen në Bruksel.
Takimi vjen pasi Turqia, vend anëtar i Aleancës, deklaroi se avionë luftarakë rusë kishin shkelur hapësirën ajrore të saj.
Ministrat e NATO-s pritet të shprehin mbështetjen e tyre ndaj Turqisë, si dhe do të diskutojnë situatën shqetësuese në vendet baltike pas përfshirjes së Rusisë në krizën ukrainase.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon pritet të deklarojë se vendi i tij është gati të vendosë trupa tokësore në republikat baltike. Por ai shtoi se, pret që të arrihet një vendim i përbashkët i ministrave në kuadër të thellimit të krizës.
Një ditë më parë, Rusia qëlloi edhe raketa nga një luftanije ushtarake në vazhdën e sulmeve në mbështetje të aleatit të saj sirian, Bashar al Assad.
Ndërkohë, Moska mohon akuzat e Perëndimit se sulmet e saj kanë goditur kryesisht fraksionet opozitare kundër Assad dhe jo bazat e Shtetit Islamik.
Madje Ministria e Jashtme ruse deklaroi se Moska është e gatshme të vendosë kontakte me Ushtrinë Çlirimtare Siriane, një grup rebelësh të mbështetur nga Perëndimi, për të diskutuar luftimin e ISIS dhe grupeve të tjera terroriste.
Por sekretari amerikan Ashton Carter deklaroi se koalicioni anti-ISIS në Siri nuk do të bashkëpunojë me Rusinë. “Ne mendojmë se Rusia po ndjek një strategji të gabuar. Ajo vazhdon të godasë objektiva që nuk janë të ISIS”, deklaroi Carter.
Top Channel