Tentuan të vrisnin kolegun, kërkohen 65 vite burg për dy policë

07/10/2015 12:10

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin në total me 65 vjet burg për dy shtetas, të akuzuar për vrasjen e një punonjësi të policisë të mbetur në tentativë, për një ngjarje të ndodhur në datë 24 tetor të vitit 2013, ku Shaban Lami dhe Renato Kazani kanë vendosur lëndë ekspozive në mjetin e komandantit të njësive të patrullës së përgjithshme të komisariatit nr. 6 në Tiranë, Sh. Toplana.

Lënda plasëse ka shpërthyer në momentin që në të po hipte punonjësi i policisë, duke e shkatërruar mjetin, por pa i shkaktuar dëme objektivit të atentatit.

Nga hetimi rezultoi se shtetasi Shaban Lami, në atë kohë punonjës policie në Komisariatin nr. 5 në kryeqytet, kishte debatuar me kolegun e tij, për faktin se patrullat e komisariatit nr.6 i kishin ndaluar të birin, shtetasin Ervis Lami, pasi udhëtonte me një automjet pa dokumentacion. Për këtë arsye, duke diskutuar edhe me disa miq të të birit, të cilët kishin pakënaqësi ndaj punonjësit të policisë Toplana prej kohës kur ky i fundit punonte në komisariatin nr. 5 në Kamëz, vendosën të hakmerren ndaj tij. I pandehuri Shaban Lami, së bashku me të pandehurin Renato Kazani kanë organizuar atentatin ndaj efektivit Sh. Toplana, me veprime aktive, duke siguruar, vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në mjetin e Toplanës, me qëllim vrasjen e tij.

Pavarësisht se vrasja e efektivit të policisë nuk u realizua, dy të pandehurit kanë kryer të gjithë veprimet për të finalizuar veprimet e tyre. Për këtë arsye, në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin e Shaban Lamit me 30 vjet burg dhe Renato Kazanit 35 vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA