Durrës, gjykata shpall të pafajshëm ish-kreun e komunës Rrashbull

07/10/2015 11:20

Gjykata e Durrësit shpalli të pafajshëm ish-kreun e komunës Rrashbull, Hysen Gashi, i cili akuzohej për dhënien e 16 lejeve në kundërshtim me ligjin.

Pesë vite burg kishte kërkuar Prokuroria e Durrësit për Gashin.

Ish-kreu i komunës së Rrashbullit akuzohej për shpërdorim detyre më shumë se një herë gjatë procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në zonën turistike te Shkëmbi i Kavajës.

Në këtë proces, së bashku me të pandehurin Gashi, ishin konsideruar përgjegjës edhe 5 ish-zyrtarë të Komunës Rrashbull, për të cilët, pas një shqyrtimi gjyqësor me procedurë të shkurtuar, u shpallën fajtorë nga gjykata e Durrësit.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit Gashi, Prokuroria e Durrësit kishte bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Pitaku, pasi, për prokurorinë, gjyqtarja kishte paraqitur njëanshmëri gjatë procesit. Kjo kërkesë u rrëzua nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Durrësit dhe procesi ndaj të pandehurit Gashi vijoi nga gjyqtarja Pitaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA