
Një i ri me precedentë penalë në Shqipëri dhe Itali është shpallur në kërkim nga policia, pas plagosjes me armë zjarri të një 23-vjeçari në qendër të qytetit të Krujës.
Një ditë më parë, Adrian Gjebeshi, 29 vjeç nga Kruja, ka qëlluar mbi Enea Ndreun, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën.
I arrestuar për armëmbajtje pa leje, Gjebeshi është liruar nga paraburgimi më 24 korrik të këtij viti, kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndaj tij dënimin alternativ “Vënie në provë” për një periudhë 2-vjeçare.
Në një njoftim publik, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se Gjebeshi ka tendenca për prirje kriminale në fushën e krimit të organizuar dhe krimeve kundër personit, për të cilat është dënuar nga gjykata shqiptare si edhe nga gjykata e shtetit italian për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”.
Ai është i dyshuar edhe si autor i trafikimit të mjeteve motorike, vjedhjes dhe grabitjes me dhunë.
Pas plagosjes së një dite më parë, ndaj tij rëndojnë dhe akuzat për “vrasje të mbetur në tentativë ” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Top Channel