
“Kur vajza pati ditëlindjen më 2 prill, i bleva qëllimisht një arush dhuratë. Kur ajo të ikte nga shtëpia te mami i saj, larg pranisë sime, doja që t’i kujtoja asaj se arushi jam unë dhe zemra është ajo. Babi për të është si puna e arushit, që nuk do ta lëshojë nga dora zemrën”.
Prej më shumë se një muaji, ditët e Elyon Manes janë të zbrazëta. Ato e kanë humbur rutinën e përditshme, kur merrte Sofiolën, të bijën 5-vjeçare nga kopshti, apo kur shkonin së bashku te lodrat.
Sot, ai nuk është i sigurt se ku ndodhet vajza e tij, të cilën ia besoi kundrejt një prokuroreje ish-gruas. Ai i dha të drejtën Albanës, që të udhëtonte me Sofiolën drejt Turqisë dhe ta mbante deri në datën 10 shtator. Madje i shoqëroi vetë, deri në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Por, 5-vjeçarja nuk është kthyer ende në shtëpinë e të atit. Dyshimet janë të shumta, mes tyre edhe ai i largimit drejt Sirisë. Gjyshe Diana ka qenë kundër udhëtimit të mbesës, në një shtet të largët.
“Kjo pjesë më duket si e pabesueshme. Nënë kam qenë vetë dhe nuk besoj se e ka çuar në Siri”, thotë gjyshja.
Olgera, halla e Sofiolës, nuk e harron dot takimin e fundit me Sofiolën.
“Mbaj mend momentin e fundit, kur e kam puthur në ballë. Ajo është shpirt i shpirtit tim”, tha halla e saj.
Mungesa e vogëlushes në shtëpi shkakton dhimbje.
“E ndiej mungesën e vajzës në shtëpi, sepse i jepte gjallëri shtëpisë. Hapnim televizorin, më përqafonte, dilnim bashkë. E kisha si një shoqe”, tha gjyshja.
“E çoja në kopësht, e shihja kur recitonte”, tha halla.
Të dyja kanë një mesazh për mamanë e 5-vjeçares.
“Vajzën do t’u kërkoja. Ta sjellë dhe kur të dojë ta marrë përsëri”, thotë gjyshja.
“Nuk mund t’i refuzojë nëna, të drejtën babait për ta parë. I bëj një mesazh. Që të mendohet një mijë herë për foshnjën e saj”, thotë kunata.
Rikthimi i Sofiolës në shtëpi do të ishte gjëja më e bukur që mund t’u ndodhte.
“Do ta përqafoja e do i thoja që e kam zemër e xhan”, thotë halla.
Top Channel