Në sajë të reformës në drejtësi do të ketë vlerësim për gjyqtarët dhe ata që do të dështojnë mund të shkojnë edhe në burg. Deklarata vjen nga zv. kryetari i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton.
Ai mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Magjistraturës, dhe nisjes së vitit të ri akademik.
“Reforma në drejtësi po merr formë në detaje. Do të këtë vlerësimi për Gjyqtarët. Ata që dështojnë do të humbasin karrierën dhe reputacionin. Disa do të shkojnë në burg. Mos u shqetësoni nëse reforma në drejtësi nuk përfundon deri në fund të vitit në Shqipëri. Është më e rëndësishme që puna të bëhet me cilësi dhe jo me ngut. Reforma e suksesshme në drejtësi është, as më shumë dhe as më pak, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e këtij vendi në të ardhmen”, është shprehur Wilton.
Ai i nxiti studentët e sapodiplomuar të Magjistraturës të marrin një anë, anën e duhur, në betejën mes integritetit dhe korrupsionit. “Për ata që zgjedhin anën e duhur në këtë përballje midis integritetit dhe korrupsionit, shpërblimi do të jetë i madh dhe afatgjatë. Në një sistem të drejtë, suksesi fitohet përmes talentit, jo përmes parave që njëri i paguan tjetrit”, tha ai.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistrturës, Xhezair Zaganjori, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon dhe ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin.
Top Channel