Ngjarja në Kunduz, Carter: Hetim të plotë për përfshirjen e SHBA

05/10/2015 12:10

Në fillimin e turit pesë ditor në Europë, Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, shprehu keqardhje të thellë për jetët e humbura në spitalin e Kunduzit, të drejtuar nga “Mjekët pa kufij”, duke i shtuar këtij pohimi edhe zotimin e një hetimi të plotë dhe transparent mbi ngjarjen për të përcaktuar nëse është përfshirë personeli ushtarak amerikan.

Shefi i Pentagonit e pranoi nga ana tjetër se në kohën e sulmit, mjetet ajrore amerikane kanë qënë pjesë e operacionit ushtarak afgan që zhvillohej përreth qytetit verilindor të Kunduzit.

“Kjo është një humbje tragjike e jetëve. Mendimet nuk mund të shkojnë veçse tek njerëzit e pafajshëm që pësuan në një dhunë të tillë dhe tek përkushtimi që sa u përket Shteteve të Bashkuara dhe forcave tona, do të ketë një hetim të plotë e transparent dhe që do ta mbajmë përgjegjës këdo që mund të jetë përgjegjës për diçka që nuk është dashur të ndodhë”, tha Ashton Carter, sekretar i mbrojtjes i SHBA.

Për Carter, situata është mjaft e paqartë dhe e ndërlikuar, ndaj dhe mbledhja e fakteve mund të marrë kohë. Të shtunën, Barack Obama, u shprehu “ngushëllimet më te thella”, mjekëve dhe civilëve të vrarë e të plagosur në atë që ai e cilësoi si “incident tragjik”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh për një hetim të plotë të fakteve e rrethanave. Por as deklaratat e presidentit amerikan e as ato të sekretarit të tij të mbrojtjes nuk kanë mjaftuar për të bindur organizatën mjekësore humanitare se ndodhia është thjesht një incident fatkeq.

“Mjekët pa kufij” i cilësuan “të neveritshme” deklaratat justifikuese të qeverisë afgane për sulmin në spital. Sipas tyre, pohimet e ekzekutivit vendas nuk ishin gjë tjetër veçse pranim i një krimi lufte, ndërsa mes rreshtash lanë të kuptohet bindjen e vet se forcat amerikane e ato afgane e kanë vendosur me vetëdije të plotë bombardimin e spitalit për shkak të pretendimeve se brenda ndërtesës kishte militantë talebanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA