NATO paralajmëron Rusinë: Ndal sulmet mbi opozitën dhe civilët sirianë

05/10/2015 18:15

NATO paralajmëroi Rusinë që t’u japë fund menjëherë bombardimeve ndaj pozicioneve të opozitës siriane të mbështetur nga Perëndimi dhe civilëve në Siri.

Reagimi i Aleancës së Atlantikut, mbërrin pak ditë pas nisjes së sulmeve ajrore ruse në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad në Siri dhe pak orë pas incidentit të regjistruar në hapësirën ajrore turke. Avionët luftarakë turq u ngritën në fluturim pas shkeljes së hapësirës ajrore nga një bombardues rus. Moska deklaroi menjëherë se bëhej fjalë për një incident në “koordinata”.

Aksionet ruse në Siri nisën pak ditë më parë. Moska këmbëngul se objektivat e saj janë të njëjtë me ata të Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit ndërkombëtar anti-ISIS, por Uashingtoni dhe vendet e Bashkimit Europian akuzojnë Rusinë se po sulmon rebelët pa asnjë dallim.

Megjithatë, qëndrimi i Perëndimit nuk ka ndalur operacionet ruse, përkundrazi.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë ndërmarrë 20 sulme, nga të cilat raportohet të jenë shkatërruar disa baza ushtarake, përfshirë magazinat e armatimeve dhe naftës, sikurse të gjitha makineritë tokësore të zotëruara nga anëtarët e Shtetit Islamik”, deklaroi ditën e shtunë një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes ruse.

Po të shtunën, sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon njoftoi se në bazë të të dhënave të vendit të tij, vetëm 1 sulm ajror ndër 20 të tillë në Siri ka pasur si shënjestër qendrat e Shtetit Islamik.

Ai paralajmëroi se presidenti rus, Vladimir Putin dhe qeveria e tij po synon të vrasë civilët që janë kundër qeverisjes së Bashar al Assad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA