Zlatan Ibrahimovic tashmë është një legjendë e Paris Saint Germain. Sulmuesi suedez këtë fundjavë e gdhendi emrin e tij me shkronja të arta në librin e historisë së klubit parizien, duke u bërë shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të tij.
Në klasiken e Ligue 1 me Olimpique Marseille, Ibrahimovic arriti të shënojë 2 herë me 11-metërsh, duke arritur në kuotën e 110 golave me fanelën e kampionëve të Francës, duke e zhvlerësuar rekordin e vendosur nga portugezi Pedro Pauleta, me 109 të tillë.
Ibrahimovic ka shënuar emrin e tij në 79 gola në kampionat, 15 në Ligën e Kampioneve, 9 në Kupën e Francës , 5 në Kupën e Ligës së Francës dhe 2 në Superkupën e Francës. Të gjitha këto statistika janë shënuar në 137 ndeshje të luajtura me parizienët.
Megjithatë, këto shifra janë të destinuara të rriten akoma më shumë gjatë këtij sezoni, që ka shumë të ngjarë që të jetë i fundit për Zlatan Ibrahimovic me PSG-në.
Top Channel