Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore turke, acarohet Ankaraja

05/10/2015 11:30

Turqia deklaroi se një avion rus ka shkelur përgjatë fundjavës hapësirën e saj ajrore në afërsi të kufirit me Sirinë. Përgjigja e Ankarasë ishte mobilizimi i bombarduesve të saj dhe thirrja e ambasadorit të Rusisë për sqarime.

“Një avion rus u diktua në hapësirën ajrore turke nga dy “F16” të forcave tona ajrore, të cilët ishin në misione patrullimi në rajon”, thuhet në deklaratën e lëshuar këtë mëngjes nga Ministria e Jashtme në Ankara.

Episodi është regjistruar në provincën jugore të Hatajit. Shefi i dplomacisë turke, Feridun Sinirlioglu komunikoi dhe ai me homologun rus Sergei Lavrov, ndërsa mbi incidentin janë informuar edhe anëtarët e tjerë të NATO-s.

“Ankaraja i kërkon Moskës të mos e përsërisë më një shkelje të tillë, sepse në të kundërt, përgjegjësia e çdo incidenti të padëshirueshëm që mund të ndodhë do të rëndojë vetëm mbi të”, ishte paralajmërimi i autoriteteve të larta turke, përmes të njëjtës deklaratë.

Rusia nisi javën e kaluar bombardimet e saj në Siri, me pretendimin se po shënjestron militantët e Shtetit Islamik, kur në fakt, shënjestrat e sulmeve të saj, në sytë e Perëndimit nuk lënë vend për dyshime:

Putin, sipas Amerikës dhe aleatëve të saj, është duke goditur forcat e moderuara rebele që luftojnë kundër regjimit të Bashar al Assad, aleatit më të madh rajonal të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin.

Pretendimet se Moska po e përdor ofensivën si një justifikim për të mbështetur ekzekutivin sirian, sekretari britanik i Mbrojtjes i ilustroi edhe me të dhëna konkrete:

“Vetëm 5 për qind e sulmeve ajrore ruse kanë patur në shënjester esktremistët e ISIS-it; pjesa tjeter janë fokusurar tek kryengritësit opozitarë që gëzojnë mbështetjen e Perëndimit”.

Turqia vetë është shfaqur që në fillimet e luftës civile në Siri si kundërshtare e palëkundur e Bashar al Assad.

Lideri sirian nga ana e tij e ka bërë të qartë se Aleanca e farkëtuar me Rusinë dhe Iranin, që në ndihmë të qeverisë siriane kanë dërguar dhe trupa në terren, është e një rëndësie jetike për ta shpëtuar rajonin nga shkatërrimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA