Trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni de Biasi, i është dhënë pasditen e kësaj të shtune titulli Honoris Causa.
I pranishëm në ceremoninë e nderimit ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar De Biasin, “një kapiten që mori në dorë një skuadër dhe i mësoi të jetë e vërtetë”.
“Rezultatet e kombëtares kanë ardhur si pasojë e një filozofie të re të lojës. Trajneri ynë ia ka përcjellë edhe publikut ndryshimin e madh që i ka sjellë kombëtares”, ka thënë Rama.
Shefi i qeverisë ka vlerësuar se ndeshja e ardhshme me Serbinë është e rëndësishme për kualifikimin, por jo vetëm.
“Është e rëndësishme edhe për të bërë diferencën, për të treguar se jemi ndryshe. Për të treguar se dimë të respektojmë kundërshtarin dhe të pranojmë fitoren dhe humbjen”, ka deklaruar Rama.
Nga ana e tij, trajneri De Biasi është shprehur i nderuar për këtë titull, duke uruar që ai të sjellë fat për kualifikimin e Shqipërisë.
Tekniku italian është shprehur gjithashtu se, “vetëm talenti nuk mjafton nëse nuk i shton përkushtimin dhe pasionin”.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar se ndër vite, “Shqipëria ka patur një grup lojtarësh të shkëlqyer”.
Top Channel