Rusia shpërfill kritikat, vazhdon bombardimet në Siri

03/10/2015 18:15

Pavarësisht kritikave të marra nga vendet e koalicionit kundër Shtetit Islamik, Rusia ka vazhduar të sulmojë shënjestrat e saj edhe sot, për të katërtën ditë radhazi.

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri me dije se aviacioni i saj bombardoi të shtunën 9 pozicione të militantëve të ISIS, pranë qytetit të Rakas.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë ndërmarrë 20 sulme, nga të cilat raportohet të jenë shkatërruar disa baza ushtarake, përfshirë magazinat e armatimeve dhe naftës, sikurse të gjitha makineritë tokësore të zotëruara nga anëtarët e Shtetit Islamik”, deklaroi zyrtari rus.

Gjithashtu, Rusia ka mohuar çdo sulm te pohuar më parë nga shtetet e tjera ndaj civilëve, duke theksuar se i është përmbajtur objektivave të saj.

Por sot, gjatë një interviste për gazetën “The Sun”, sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon njoftoi se në bazë të të dhënave të vendit të tij, vetëm 1 sulm ajror ndër 20 të tillë në Siri ka pasur si shënjestër qendrat e Shtetit Islamik.

Ai paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin dhe qeveria e tij po synon të vrasë civilët që janë kundër qeverisjes së Bashar al Assad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA