Çfarë fshihet pas transfertave milionere të futbollistëve? Sa të vërteta janë shifrat e publikuara në shtyp dhe për tifozët?
Prej disa ditësh, dikush ka vendosur t’i zbulojë këto mistere në internet, duke e nisur “kryqëzatën” e tij nga futbolli portugez.
“Assange i topit” është një faqe ruse interneti që mban emrin Football Leaks, e cila që prej së martës po publikon pa filtra kontrata të shumta të operacioneve të merkatos së Lisbonës dhe ekipeve të zonave përreth.
Kontratat variojnë nga kalimi i Jorge Jesus tek rivalët e Sportingut, deri tek blerja e Imbula, që për një moment ishte pranë Interit, nga ana e Porto. Nuk mungon as kalimi i Radamel Falcao nga Atletico Madrid tek Monaco.
Bëhet fjalë për transferta milionere dhe kontrata edhe më të larta, të konsideruara të tepërta për situatën në të cilën ndodhet futbolli portugez. 5 milionë euro në vit për Jesus duket një shifër stratosferike.
Gjithashtu, duke parë kontratën mund të konstatohet se paratë i ka derdhur një fondacion nga Angola, rrethanë kjo publikisht e mohuar nga Sportingu.
Sa i takon transferimit të Imbula, 20 milionë euro, më i shtrenjti në historinë e futbollit portugez, 10 milionë i ka derdhur Doyen, fondi i përfshirë në kalimin e Milanit tek biznesmeni kinez, Bee.
Fluksi i këtyre zbulimeve pritet të vazhdojë. A do të kufizohet vetëm tek Portugalia? Apo edhe klubet e tjera sportive të Evropës duhet të fillojnë të dridhen?
Top Channel