“Coca-Cola” dhe “McDonald’s” kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të presidentit në largim të FIFA-s, Sepp Blatter, pas nisjes së procedimit penal ndaj tij prej autoriteteve zvicerane.
Kompania amerikane e pijeve “Coca-Cola” lëshoi një deklaratë, ku shkruante se “çdo ditë që kalon, imazhi dhe reputacioni i FIFA-s vazhdon të shkatërrohet”.
Ndërkohë, rrjeti i ushqimeve “Fast-food”, “McDonald’s”, gjithashtu një prej sponsorëve kyç dhe më të mëdhenj të FIFA-s, ka bërë të ditur se dorëheqja e Blatterit do të ishte “Në të mirë të interesit të lojës”, duke bërë kështu edhe një lojë fjalësh me sloganin e FIFA-s, “Për të mirën e lojës” (For the good of the game).
Blatter, i cili ka deklaruar se do të dorëhiqet nga pozicioni aktual në shkurt të vitit 2016, u mor në pyetje nga hetues zviceranë gjatë javës së kaluar. 79-vjeçari deklaroi pas marrjes në pyetje se nuk do të jepte dorëheqjen e menjëhershme përpara shkurtit, pavarësisht procedimit penal të hapur ndaj tij.
Ai akuzohet se ka nënshkruar një kontratë, e cila ka qenë “jofavorizuese për FIFA-n”, si dhe për një “pagesë pabesie” ndaj presidentit të UEFA-s, Michel Platini.
Top Channel