Siri, koalicioni: Rusia vetëm sa do të nxisë ekstremizmin

02/10/2015 17:10

Pjesëtarë të koliacionit anti-ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Rusisë se me sulmet e saj ajrore po godet opozitën siriane dhe civilët.

Në një deklaratë të përbashkët, SHBA, Britania e Madhe, Turqia dhe pjesëtarë të tjerë të koalicionit paralajmërojnë se në këtë mënyrë Rusia vetëm sa do të nxisë më shumë ekstremizmin.

Rusia, që sipas disa dëshmitarëve ka kryer sulme të reja këtë të premte, deklaron se po godet bazat e Shtetit Islamik.

Ndërkohë, të dhëna të tjera tregojnë se luftëtarët e grupit terrorist kanë sulmuar një bazë ajrore qeveritare në lindje të Sirisë.

Burime nga zona në fjalë, në afërsi të qytetit Deir al Zour, flasin për shpërthime të fuqishme, përleshje të armatosura dhe avionë luftarakë vendas që fluturojnë.

Ndërkohë, një oficer i lartë i ushtrisë ruse deklaroi se, sulmet ajrore mund të zgjasin nga 3 deri në 4 muaj.

Alexei Pushkov, kryetar i komitetit për çështjet e jashtme të Parlamentit rus, shtoi se Shtetet e Bashkuara vetëm sa janë shtirur se kanë bombarduar ISIS dhe premtoi se fushata ruse do të jetë shumë më efikase.

Forcat ajrore ruse e nisën ofensivën e tyre në Siri ditën e mërkurë. Nga ana e saj, ushtria siriane deklaroi se pala ruse kishte kryer në total 18 sulme ajrore që prej së enjtes, shumica prej të cilëve në Alepo, hama dhe Idlib, provinca këto me prani të theksuar të militantëve të ISIS.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA