Kursimet, jo fitimprurëse; Norma e fitimit që ofrojnë bankat, më e ulët se inflacioni

02/10/2015 15:45

Të kursesh nuk është më një investim fitimprurës. Të dhënat e fundit zyrtare nga banka e Shqipërisë tregojnë se për shkak të uljes së pandalshme të interesave, kthimi real nga depozitat, si instrumenti kryesor i kursimeve, aktualisht është negativ.

Në fakt bankat sërish u paguajnë interes individëve për paratë që ata depozitojnë. Por ky është interesi nominal.

Për të gjetur kthimin që përfiton realisht depozituesi, nga norma nominale e interesit duhet të zbritet inflacioni, i cili përfaqëson humbjen e vlerës së lekut. Pra nëse një një individ përfiton nga paratë e kursyera një interes më të ulët se sa inflacioni atëherë ai jo vetëm që nuk fiton, por kursimet e tij vijnë duke u pakësuar.

Dhe kjo është ajo që po ndodh gjatë muajve të fundit në tregun financiar. Sipas Bankës së shqipërisë në gusht, interesi real për depozitat njëvjecare ra në gati minus 1-për qind

Arjan Kadareja ka qenë antar i këshillit mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë. Ai thotë se interesat negativ janë rezultat i gjendjes së plogësht të ekonomisë, që manifestohet në kërkesën e ulët për para .

“Oferta e kursimeve dhe fondeve nga depozituesit shqiptarë është më e madhe se kërkesa për fonde, qoftë nga bizneset, qoftë nga individët për kredi, qoftë nga qeveria për menaxhimin e borxhit të qeverisë ”, thotë Kadare.

Por përvec pasqyrës së gjendjes aktuale, normat e interesit janë një sinjal edhe për të ardhmen.

“Përgjithësisht normat e interesit reflektojnë pritshmëritë e agjentëve për të ardhmen. Natyrisht, është pritshmëria për inflacionin, ajo që ndikon drejt për së drejti, po inflacioni është i lidhur me aktivitetin ekonomik. Një inflacion i pritshëm, i ulët, reflekton pritshmëri pesimiste për ekonominë”, shprehet Kadare.

Kjo është një situatë ku të humbur janë ata që kursejnë. Por cilët janë të fituarit?

“Bizneset e mira që marrin hua me norma të ulëta interesi dhe bankat, në atë masë që japin kredi cilësore dhe ndërkohë kostot e shërbimit të depozitave i kanë ulur në maksimum, janë përfitues në këtë drejtim. Natyrisht dhe qeveria përfton se është një huamarrës i madh sepse e shërben borxhin, ose e financon deficitin në lekë përmes një huamarrje me norma interesi më të ulëta”, shpjegon Kadare.

Por çfarë i shtyn njerëzit të kursejnë kur e dinë që janë duke humbur? Kadare mendon se arsyeja lidhet me pasigurinë.

“Nëse unë perceptoj pasiguri për punësimin tim, atëherë them më mirë po vazhdoj të konsumoj pak, megjithëse është me leverdi të konsumojmë, dhe po kursej icik më shumë në mëngrë që në rast se ndodh që pushohem nga puna, apo do humb vendin e punës, të paktën të kem një sasi rezervash megjithëse vlera e tyre do ulet se normat reale janë negative”, tha ai.

Kjo është hera e parë në historinë e tregut të brendshëm financiar, që normat e interesit bien në territor negativ.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA