Hamburgu është bërë qyteti i parë gjerman që ka miratuar një ligj që lejon konfiskimin e pronave private boshe për të strehuar emigrantët.
Fluksi i refugjatëve ka vënë nën presion autoritetet e qytetit verior për të gjetur mënyra akomodimi për të ardhurit.
Grupe emigrantësh po i kalojnë netët edhe në qiell të hapur, në çadra të improvizuara apo të shtrirë nëpër kartonë. Ligji i miratuar nga qeveria vendore e Hamburgut hyn në fuqi javën e ardhshme.
Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, prokurorët gjermanë ngritën akuza për nxitje të urrejtjes racore ndaj një prej themeluesve të lëvizjes anti-islamike, Pegida.
Prokurorët e qytetit lindor të Dresdenit deklaruan se kishin vepruar pasi Lutz Bachmann i kishte përshkruar në rrjetet sociale emigrantët si “mbeturina” dhe “kafshë”.
Anëtarët e Pegida-s kanë mbajtur një seri protestash kundër emigrantëve në muajt e fundit, në të cilat kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra njerëz.
Ndërkohë, një sondazh i transmetuesit ARD tregonte se 51 për qind e njerëzve pranonin se fluksi i refugjatëve i frikësonte, si dhe një rënie të popullaritetit të kancelares Angela Merkel për shkak të kësaj çështjeje.
Merkel ka deklaruar se Gjermania mund të akomodojë emigrantë që arratisen nga lufta apo persekutimi, një gjest ky humanitar kundrejt atyre mijëra njerëzve që rrezikojnë jetën për të ardhur në Evropë.
Top Channel