Një proces kërkimi ka nisur në Azinë e Paqësorit pasi një avion indonezian pasagjerësh që transportonte 10 persona ka humbur kontaktin me kontrollorët e fluturimit, teksa ndodhej mbi ishullin Sulauesi.
Avioni, në pronësi të kompanisë ajrore vendase të Indonezisë Aviastar, humbi kontaktet fare pak momente pasi u ngrit nga pista e aeroportit Masamba.
Sipas autoriteteve lokale, mjeti fluturues po udhëtonte drejt kryeqytetit provincial Makasar me tre anëtarë të ekuipazhit dhe shtatë pasagjerë në bord, mes të cilëve dy fëmijë fare të mitur.
Kjo është një tjetër ngjarje që cënon reputacionin e sigurisë së aviacionit indonezian. Gjatë vitit të kaluar, atje u regjistruan 3 incidente të mëdha ajrore, përfshirë atë të zhdukjes së avionit të “Air Asia” në detin Xhava, në dhjetor, ku humbën jetën 192 persona që ndodheshin në bord.
Në korrik, një avion ushtarak transporti u rrëzua në një zonë të banuar në Medan, Sumatra, duke u marrë jetën 140 personave. Një muaj më vonë, një avion tjetër me 54 vetë në bord u rrëzua në rajonin e largët të Papuas Perëndimore.
Top Channel