Në ditën e të moshuarve Avokati i Popullit përsëriti apelin për miratimin e statusit të moshës së tretë, me qëllim garantimin e të drejtave të tyre. Ai ka kërkuar gjithashtu përcaktimin e minimumit jetik dhe investime serioze në qendrat rezidenciale të të moshuarve.
“Kemi instistuar në vazhdimësi për hartimin e një ligji të posaçëm në favor të të Moshuarve – duke e konsideruar këtë, si një mekanizëm për ndryshim dhe përmirësim të cilësisë së jetës së tyre. Përmes rekomadimeve të njëpasnjëshme kemi kërkuar miratimin e Statusit të Moshës së Tretë, me qëllim garantimin e të drejtave për të moshuarit. Një tjetër shqetësim, është edhe mungesa e llogaritjes së minimumit jetik në Shqipëri. Kjo gjë ende nuk është bërë pavarësisht kërkesave dhe rekomandimeve disavjecare. Ky minimum jetik, nuk është vetëm një tregues që lidhet me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, por bazuar në të, përcaktohen edhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes shoqërore. Kemi kryer inspektime në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Kavajë dhe Qendrën Ditore Polivalente, Kamëz. Në pjesën më të madhe të këtyre qendrave, kemi konstatuar se duhen bërë investime për përmirësimin e cilësisë së jetesës së të moshuarve”, është shprehur z. Totozani.
Top Channel