Një raport i fundit i Bankës Botërore për gjashtë ekonomitë e vendeve të Ballkanit, që aspirojnë të anëtarësohen me të drejta të plota në Bashkimin Europian, paralajmëron se rajoni po humbet me shpejtësi burimet njerëzore dhe u kërkon qeverive përkatëse që të marrin masa për frenimin e kësaj dukurie.
Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi përbëjnë njërin prej rajoneve që “prodhojnë” më shumë emigrantë, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian, por edhe përtej Atlantikut në SHBA dhe Kanada.
Sot, thuhet në raportin e Bankës Botërore të publikuar ditën e hënë, një e katërta e popullsisë së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor jetojnë dhe punojnë jashtë vendeve të tyre.
Raporti nënvizon se ndryshe nga vitet ’90, kur ballkanasit emigronin për t’u shpëtuar konflikteve të njëpasnjëshme, sot emigrojnë për arsye ekonomike.
“Rritja e ulët ekonomike pas krizës financiare globale, papunësia e lartë dhe kronike dhe të ardhurat për frymë në nivele se një e treta e vendeve të Bashkimit Europian kanë reduktuar ndjeshëm mundësitë, sidomos për të rinjtë në vendet e tyre. Kjo i nxit ata që të emigrojnë për mundësi më të mira ekonomike”, vlerëson raporti.
Banka Botërore vëren se pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, krah pune dhe përgjithësisht më të mirëarsimuar se brezat që lënë pas në vendet e tyre.
Vetëm në Gjermani, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i personave nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë kërkuar azil nga Ballkani Perëndimor, ka prekur rreth 80 mijë persona ndaj BB kërkon nga qeveritë respektive marrjen e masave për t’u përballur me situatën e re që po krijohet.
“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë politika për të zbutur ndikimin negativ nga plakja e popullsisë, transformimi demografik dhe ulja e numrit të popullsisë”, thotë BB.
Top Channel