Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bëri të ditur se do të ketë shtim të kapacitetit të policisë, për t’i shërbyer qytetarëve. Duke folur nga Lezha, pas një takimi me strukturat e policisë së zonës, Tahiri tha se për shkak të ngjarjeve të fundit kriminale, në këtë qark mund të ketë dislokim më të shpeshtë të FNSH-së.
“Ne jemi shumë të vendosur të shtojmë kapacitetin e policisë për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të rrënjosur fort tek çdo punonjës policie mentalitetin e sherbimit dhe filozofinë e sherbimit tek qytetarët. Ne mendojmë që ka vende për t’u përmirësuar puna, veçanërisht lidhur edhe me ngjarjet e fundit kriminale, dhe për këtë arsye kemi planifikuar dislokimin më të shpeshtë, në mos permanent të FNSH, në zona të caktuara të Qarkut, aty ku harta e kriminalitetit është dhe më e lartë”, tha Tahiri.
Sipas ministrit të Brendshëm nga 1 janari deri më sot janë bërë mbi 200 mijë telefonata në policinë e shtetit, si dhe 25 mijë raportime në Komisariatin Dixhital, çka do të thotë që është shtuar besimi tek policia.
Top Channel