Ivan Ramiro Cordoba, ish-mbrojtësi i Interit, prej ditësh ndodhet në Tiranë, ku ka marrë edhe një rol menaxhues në klubin e Partizanit. Legjenda kolumbiane besohet se ka lidhur kontratë me klubin e Partizanit që t’i sjell atyre lojtarë kryesisht nga Amerika Latine.
Ndërkohë në një intervistë në “Procesin Sportiv”, Cordoba ka folur për gjendjen aktuale të Interit, për Mourinho-n, Thohir e Moratti-n.
Intervista e plotë
Interi i këtij viti po kthehet si në kohën tuaj, megjithëse ajo nuk është shumë e largët…
Ivan Cordoba: Në fillim faleminderit për ftesën. Jam i lumtur që jam këtu. Është bukur të ndjesh të gjithë dashurinë e interistëve që janë në Shqipëri. Momenti i Interit kaq i mirë mendoj se ka lidhje me gjithçka. Trajneri ka arritur të krijojë një skuadër kompakte, një skuadër me mentalitet fitues. Por ka edhe shumë për të punuar, pasi jemi vetëm në javët e para. E patë se çfarë ndodhi këtë javë…Ka shumë punë përpara, por shpresat janë pozitive.
Ky Inter apo ai i 2010-s, kush është më bindës?
Ivan Cordoba: Unë mendoj se është ndryshe. Skuadra që është tani duhet të ndërtojë themelet. Ajo e vitit 2010 vinte nga një periudhë fitoresh dhe ndihej shumë e fortë. Kështu që lojtarët tani duhet të fitojnë një situatë që në 2010-n ishte e ndërtuar nga vitet e mëparshme.
Çfarë do të thotë emri Mourinho në futbollin botëror?
Ivan Cordoba: Mourinho është një menaxher i madh i skuadrave të futbollit. Unë besoj se është një trajner që di të përdori lojtarin në mënyrën më të mirë në shërbim të skuadrës. Një nga kualitetet e tij më të rëndësishme është se ai di të dallojë momentin më të mirë të lojtarit dhe momentin më të mirë për ta aktivizuar atë në lojë dhe kjo ekziston për të gjithë lojtarët.
Si e bindi ai Samuel Eto’o-n në ndeshjen kundër Barcelonës të luajë në mbrojtje?
Ivan Cordoba: Ai ka këtë kualitet që të bind në sajë të eksperiencës së tij, edhe lojtari ka besim tek ai. Shpesh herë ai të flet para ndeshjes, duke të treguar detajet se si do të zhvillohet ndeshja dhe gjatë saj ti e sheh se ka pasur të drejtë. Atëherë nuk ka se si të mos i besosh.
Thohir apo Moratti? Cilat janë ndryshimet dhe të përbashkëtat midis tyre?
Ivan Cordoba: Për mua janë shumë të ndryshëm. Nga njëra anë është presidenti Moratti, i cili punonte me pasion dhe dashuri për këtë skuadër dhe në sajë të traditës së familjes së tij. Pra ishin edhe të tjera gjëra që e shtynin të bënte çmenduri. Pro këto çmenduri bëhen vetëm kur je i apasionuar pas diçkaje apo kur dashuron dhe je në gjendje të bësh gjithçka. Kurse Thohir klubin e ka biznes, por edhe ai po mundohet të kuptojë mentalitetin e tifozëve Italinë dhe të futbollit në tërësi dhe kjo e bën të jetë ndryshe nga biznesi me kompanitë e tjera.
Çfarë do të bëjë Cordoba tashmë që është larguar nga futbolli i luajtur? Ka zëra që mund të ishte drejtor sportiv i Interit…
Ivan Cordoba: Unë jam i lidhur me zemër me Interin dhe kështu do të mbetem sepse ajo që kam kaluar me Interin është diçka speciale. Tani kam një projekt për t’u dhënë një dorë të gjithë djemve nga Kolumbia që kanë talent. Unë për këtë kam ardhur edhe në Shqipëri, për t’i sjellë ata të zhvillohen në Europë për një të ardhme më të mirë në futbollin botëror.
Edhe një mesazh për të gjithë interistët në Shqipëri…
Ivan Cordoba: Një përshëndetje speciale! Faleminderit për dashurinë që treguat ndaj meje gjatë stërvitjes që patën në stërvitjen e Partizanit. Ishte një surprizë e bukur, shpresoj që ky të jetë një vit i rëndësishëm!
Top Channel