Afera “CEZ”, Minxhozi: Meta po përpiqet të përfshijë edhe Ramën

29/09/2015 00:30

Për të folur për aferën “CEZ” dhe aktualitetin politik në vend ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Skënder Minxhozi, kryeredaktor i Javanews.al

Zoti Minxhozi u shpreh se afera e “CEZ”-it ka tre etapa që meritojnë një hetim të thelluar dhe në këtë rast nuk duhet para sfondi politik, “por duhet dënuar vjedhja dhe hajduti”.

Për sa i përket heshtjes së Partisë Socialiste për këtë çështjes, kryeredaktori i Javanews.al, tha se socialistët flasin në heshtje në këtë rast. Ndërsa ai shtoi se Ilir Meta po përpiqet të përfshijë në këtë ngjarje të së shkuarës së tij edhe Edi Ramën.

Pandi Gjata: PD dhe LSI janë gati për një hetim ndërkombëtar për aferën e “CEZ”-it, që ka qenë lajmi kryesor i të gjitha këtyre ditëve, ndërkohë është depozituar në Kuvend edhe projektligji i opozitës për këtë çështje. Nuk kemi qëndrim të PS-së, kemi vetëm një reagim personal të Braçes përmes “Facebook”, i cili thotë se nëse nuk do të ketë një hetim gjithëpërfshirës, atëherë nuk do të ketë një votë të tij pro këtij hetimi. Si e shikon këtë mosdeklarim të PS-së?

Skënder Minxhozi: Më lejoni t’ju them sesa shtohet habia e të gjithëve ne dhe surpriza që shohim se si ngjarjet, faktet, personazhet dhe akuzat madje, kanë një logjikë ciklesh të habitshme në politikën shqiptare. Kjo është një ngjarje që bartet nga thellësia e kohërave, personazhet kanë qenë aty, përgjegjësitë gjithashtu, faktet dihen nga të gjithë dhe megjithatë nuk ka të dënuar, përgjegjës, nuk ka fajtorë edhe pse kanë qenë në dijeni; kanë marrë pjesë; kanë vënë firma; kanë bërë ceremoni; kanë pirë gota shampanje; kanë parë sesi fryheshin bilancet në humbje; kanë heshtur; i kanë thënë njëri-tjetrit “unë e di, por nuk po ta them”; i kanë thënë njëri-tjetrit gjysmë akuza; kanë manipuluar me gjithçka. Ne sot shohim një nga shfaqet e radhës, e cila është zgjeruar pak më shumë, pasi ka disa të akuzuar, të cilët ndodhen përballë gjykimit dhe çështja po manipulohet politikisht. Ashtu siç është heshtur politikisht sot po luftohet politikisht. Pra, edhe heshtjet dhe pauzat dhe gjysmë të vërtetat kanë qenë gjithmonë me sfond politik edhe lufta e sotme është me sfond politik. Unë besoj se kjo na sjell te përgjigja e pyetjes që ju e bëtë në fillim. Unë do të thosha që po asistojmë në një heshtje të socialistëve, e cila nuk është e rastësishme, por siç është ajo shprehja që zakonisht përdorej me një ish-president që fliste në heshtje, edhe socialistët flasin në heshtje në këtë rast. Ata po e shohin si një zgjatim traumatik të katërvjeçarit Berisha-Meta, të asaj bashkëqeverisje që prodhoi “de facto” këtë lloj krize me CEZ-in dhe me gjithë pasojat që ajo la. Duke mos folur, Rama po përpiqet t’u thotë shqiptarëve që, “le ta konsumojnë lojtarët mes tyre këtë ngjarje sepse unë nuk kam lidhje në këtë aferë. Të dalin përgjegjësit dhe të shihet më pas se kush është i miri dhe kush është i keqi. Pra, kjo nuk është një betejë e jona, por e dy ish-aleatëve që sot meqenëse ndodhen në dy trashe të ndryshme kanë filluar të nxjerrin gjysmë të vërteta”. Unë mendoj se ende nuk ka dalë ajo që është në të vërtetë.

Pandi Gjata: Në këtë histori qarkullojnë edhe shumë skenarë rreth aferës “CEZ” apo edhe sesi janë pozicionuar politikanët në këtë histori. Deklarata e para pak ditëve e Ilir Metas, kur i tha Lulzim Bashës se dorëheqjen duhet t’ia kërkojë kryeministrit dhe jo kryetarit të Kuvendit dhe foli për qeverinë, la shumë interpretime. Si e pe këtë gjë dhe a shikon një thyerje edhe më të madhe të raportin mes kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit pas aferës “CEZ”?

Skënder Minxhozi: Nuk besoj se ka pasur nevojë për aferën “CEZ” që mes Ramës dhe Metës të mos ketë marrëdhënie të mira ose të paktën që marrëdhëniet të jenë të ftohta. Unë besoj se kjo aferë i ka rënduar ato që kanë qenë tashmë marrëdhënie të ftohura mes dy palëve. Unë nuk nisem me atë bashkëpunim të zgjedhjeve lokale dhe me humbjen e disa qyteteve, ku LSI-ja nuk mori atë që priste dhe realisht akuzat ishin edhe për kampin socialist. Unë kam përshtypjen që është një ftohje fiziologjike që vjen pas dy viteve bashkëqeverisje. Meta doli me 260 mijë vota në zgjedhjet e fundit dhe tendenca e tij për t’u zgjeruar brenda koalicionit është parë nga ai si një rezultat i natyrshëm dhe i pritshëm i asaj që ai mori në 21 Qershor. Unë kam përshtypjen se një përgjigje negative e Ramës për të bërë një ripërzierje të kartave në qeveri ka sjellë një ftohje të Metës. Kjo i ka përkeqësuar marrëdhëniet dhe deri sa kemi ardhur te botimi i fakteve të aferës “CEZ”, e cila pasurohet çdo ditë me detaje të reja. Marrëdhëniet mes dy krerëve të koalicionit nuk janë të mira, nuk janë ato që ishin. Tashmë duhet parë  sa larg mund të shkojë kjo ftohje, por e sigurt është që Ilir Meta po përpiqet të përfshijë në një ngjarje të së shkuarës së tij edhe Edi Ramën. Rezistenca e Ramës për të mos u futur në këtë histori tregon se ai e ka të qartë idenë dhe vizionin e tij lidhur me këtë skandal.

Pandi Gjata: Në këtë histori, mes skenarëve të shumta po flitet se Meta dhe Berisha janë bashkë dhe ka edhe një marrëveshje të heshtur mes Ramës dhe Bashës. A e shikoni ju si të mundshme një koalicion PS-PD, Rama-Basha?

Skënder Minxhozi: Ashtu siç thamë në fillim edhe pyetja juaj mbart në mënyrë të kuptueshme atë dozë politizimi të gjithçkaje, madje edhe të një afere ku janë vjedhur shuma marramendëse nga paratë publike të shqiptarëve. Pra, ne gjithmonë tentojmë të shohim sfondin politik të gjësë, nuk shohim abuzimin, por qëndrimin politik. Nuk biem dakord të dënojmë vjedhjen dhe hajdutin dhe të çojmë në vend atë shkelje që ka ndodhur vite më parë, por që është e përmasave të mëdha. Kalkulimi politik është dytësor. Afera e “CEZ”-it ka tre etapa që meritojnë një hetim të thelluar. E para, si u lidh marrëveshja me çekët në dritën e aplikimit të Shqipërisë për negociatat për statusin e vendit kandidat. Etapa e dytë është lobimi eventualisht antiligjor. Pra, historitë që kanë lindur pasi CEZ-i hyri në Shqipëri. Etapa e tretë është marrëveshja e ndarjes, kompromisi me CEZ-in për largimin e tij nga Shqipëria. Tani të tre këto momente duhen hetuar. Fakti që kjo i lihet në mënyrë evazive drejtësisë shqiptare, pastaj opozita paraqet një projektligj për ta hetuar nga ndërkombëtarët, ku sërish e theksoj se bëhet fjalë për gjëra disavjeçare. Ky është një proces që ka qenë aty, pse duhet ky lloj reagimi tani? Ky reagim është krejt i panatyrshëm dhe na çon vetvetiu tek aleancat fluide, të nënkuptuara, te fjalët në erë dhe thashethemet e kafeneve të Tiranës, të cilat dihet që kanë prodhuar edhe drama politike pa pasur baza. Unë mendoj se këtu ka edhe shumë ujë dhe ajër përveçse substancë. Është e vërtetë për shembull që sot LSI-ja shihet si një faktor politik që i bezdis dy partitë e mëdha. Tani Ilir Meta është një lojtar i bezdisshëm në tryezën e dy të mëdhenjve. Tani jemi në një skenë politike që nuk ka më dy kampe, por tre. Partitë e mëdha po mendojnë sesi mund ta defaktorizojnë LSI-në nëpërmjet ndryshimeve që mund t’i bëjnë ligjit elektoral ose dhe mekanizmave të tjerë.

Pandi Gjata: Në të gjithë këtë histori për CEZ-in dhe aferën disa vjeçare, si tu duk historia e letrës së një prej eksponentëve të lartë të LSI-së, zotit Braho, e cila ju drejtua krerëve të institucioneve kryesore në vend për frikën e një destabilizimi? Ai akuzonte dy protagonistë, Tom Doshin dhe Dritan Priftin.

Skënder Minxhozi: Një skenë e filmave policesk. Deputeti Braho njihet që në momente të caktuara dhe delikate del publikisht dhe nxjerr ato që janë faktet e tij. Mbetet për t’u parë se sa kjo letër ka shkuar realisht në instanca; cila është përmbajtja e saj; sa është aluduar në të për kryeministrin dhe për ambasadorin amerikan. Në media ka pasur edhe nga ata që përpiqen të zgjerojnë gamën e letrës, pastaj ka edhe nga ata që e mbajnë në kuadrin e një dëshmie të deputetit Braho në lidhje me plane të caktuara të Tom Doshit dhe të Dritan Priftit për të destabilizuar mazhorancën nëpërmjet lëvizjeve të caktuara që ata po bëjnë. Por, gjithsesi ajo që del nga e gjithë kjo që po ndodh është se historia po bëhet shumë e koklavitur, me elementë politikë dhe esktrapolitikë. Unë kam frikë se është një tendencë dhe jo fortë e rastësishme që shumë duar po futen për ta ngatërruar fillin e ngjarjeve, më pas për të humbur edhe përgjegjësitë në këtë lëmsh të madh që po krijohet.

Pandi Gjata: A besoni se do të kemi një përgjigje në fund të të gjithë kësaj historie apo besoni se edhe kjo do të jetë si gjithë të tjerat?

Skënder Minxhozi: Nga ajo përvojë që ne kemi duke jetuar këto 20 e ca vite në këtë vend e duke parë ngjarje të tjera të ngjashme, që janë edhe shumë më të rënda, aq më i madh të jetë korrupsioni aq më të zgjuar janë edhe protagonistët e tij. Unë kam frikë se duke u koklavitur kjo histori do të humbasin përgjegjësitë, do të luhet politikisht, jo ligjërisht. Në finale askush nuk përfundon në burg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA