Itali, godiet “elita” e mafias kalabreze; shtrirje në Evropë, Kanada e SHBA

28/09/2015 22:35

Agjenci të ndryshme ligjzbatuese në Itali kanë ekzekutuar këtë të hënë një operacion kundër mafias kalabreze, Ndrangeta, duke arrestuar 48 persona dhe duke shkatërruar një degëzim të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Sipas raportimeve të mediave italiane, koordinimi mes karabinierëve dhe policisë, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore holandeze, ka çuar në goditjen e familjeve më të rëndësishme mafioze të Italisë.

Hetuesit deklaruan se, hetimet dokumentuan ekzistencën e një rrjeti të trafikut të drogës që shtrihej nga Italia, në Evropë, Kanada dhe Amerikën e Veriut.

“Në praktikë është goditur elita e Ndrangetës. Klanet historike të saj, si Macri, Commisso, Crupi, Aquino dhe Coluccio, të cilat kishin krijuar celulat e tyre të mirarmatosura në territorin holandez, duke zaptuar një pjesë të mirë të tregut kriminal”, deklaroi prokurori i Antimafias, Nicola Gratteri.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se, familjet kalabreze kanë zëvendësuar edhe Cosa Nostran në marrëdhëniet e saj me mafian italo-amerikane.

Hetuesit nënvizuan se nga trafiku i kokainës siguroheshin shuma të mëdha parash të cilat investoheshin në ekonominë formale, përfshirë këtu industrinë holandeze të luleve dhe atë të çokollatave.

Një tjetër tregues i rrezikshmërisë së këtyre organizatave, shtuan hetuesit, është fakti se familja Commisso vetëm në qytetin e saj mëmë, Siderno, ka të paktën 500 ushtarë të armatosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA